Banorët e disa fshatrave në Librazhd pasi iu shemb Ura e Dardhës përmes së cilës kalonin lumin Shkumbin, tani përdorin një teleferik të përshtatur në mënyrë artizanale. Çdo ditë atyre iu duhet të kryejnë punët e përditshme duke rrezikuar.
Banorët këtu i thonë teleferik. Por e gjitha është imropovizuar në mënyrë artizanale. Në këtë mënyrë kalojnë lumin nga njëra anë e zonës në anë tjetër për t’u lidhur me qytetin e Librazhdit dhe me rrugën nacionale.
Ky është Xhemal Roçi njeriu që e ka ndërtuar këtë gjë dhe që u vjen në ndihmë bashkëfshatarëve të tij çdo ditë.
“Gjithë banorët që jetojnë këtu i ndihmoj me këtë teleferik se është i sigurt. Është 100% i sigurt deri tani nuk ka rrezikuar jetën asnjë”.
Këtu mbi lumin Shkumbin ka ekzistuar Ura e Dardhës. Ajo u shemb në muajin shkurt gjatë vërshimeve. Banorët u izoluan dhe ura akoma nuk është riparuar.
“7-8 muaj po mbush, vështirësitë tona janë siç shihen,unë iki në punë, me fëmijët, mësues, s’kemi ku kalojmë”.
“Vështirësia më e madhe kjo është, që ja kalojmë tani nuk mbytemi, po në dimër, isha duke ranë vjet”.
Jo vetëm shërbimet e përditshme, por edhe të vdekurit ka raste që duhet t’i transportojnë përmes këtij teleferiku
“Edhe shkolla këtu kalon edhe lagjia edhe ata sipër këtu kalojnë”.
“Që nga muaji shkurt e deri tani dhe fëmijët që shkojnë në shkollë me vështirësi të madhe. Të gjithë, çdo sëmundje që na bie duhet me kalu këtu”.
Kurse çdo mëngjes nxënësit e nisin mësimin pasi të kenë kaluar lumin në këtë mënyrë. Dimri po afron dhe për banorët situata do të bëhet më e vështirë. Ura e Dardhës ishte mundësi qarkullimi për shumë fshatra të Librazhdit. Por në stinën kur lumi do të vërshojë ky teleferik nuk do të jetë më zgjidhja e tyre. /abcnews.al