Ditën e sotme luhen të gjitha ndeshjet e javës së 30 të Kategorisë Superiore dhe janë rezervuar sfida shumë të zjarrta. Dy ndeshje janë planifikuar për t’u luajtur në orën 13:00.
Në Korçë luhet një duel direkt për vendin e tetë. Skënderbeu e ka Bylisin stacionin e fundit për të mundur të mbajë shpresat gjallë për qëndrimin në elitën e futbollit tonë.
Në të njëjtën orë luhet edhe në Fier. Apolonia, e dorëzuar tashmë, pret Kastriotin, në luftë për të evituar vendin e tetë. Në orën 16:00 janë rezervuar tre sfida “zjarri”.
Në “Elbasan Arena” Kukësi luan ndaj Teutës si pritës. Të dyja skuadrat vijnë nga humbje të dhimbshme në javën e shkuar dhe fitoren e kanë më shumë se detyrë sot.
Betejë titanësh luhet edhe në “Selman Stermasi”, ku Tirana pret kryesuesit e Vllaznisë. Bardheblutë kanë treguar edhe dy herë të tjera më parë se specialiteti i tyre është të mundin kryesuesit.
Ndërkohë, në Laç luhet për të përcaktuar qartë pretendentët. Vendasit sfidojnë Partizanin. Të kuqtë duan fitoren për të mbajtur dy vendet e para, ndërsa Laçi do tentojë të qëndrojë afër tre skuadrave më lart në renditje. Kjo sfidë tregon shumë. /abcnews.al
Kategoria Superiore
Java 30, 28 prill 2021
Ora 13:00 | Skënderbeu-Bylis
Ora 13:00 | Apolonia Kastrioti
Ora 16:00 |Kukësi-Teuta
Ora 16:00 |Tirana-Vllaznia
Ora 16:00 | Laçi-Partizani