Senatorët republikanë që kanë në dorë konfirmimin e të zgjedhurit të Donald Trump për drejtimin e Gjykatës Supreme të Shteteve të Bashkuara kanë kritikuar ashpër presidentin për ironizimin dhe talljen që ai i bëri gruas që ka akuzuar për agresion seksual gjyqtarin Bret Kavanah.
Presidenti Donald Trump po përballet me kritika nga radhët e republikanëve, pasi vuri në lojë dhe ironizoi një nga gratë që ka akuzuar për ngacmim seksual të zgjedhurin e tij për Gjykatën Supreme. Në një miting, Trump bëri shaka me dëshminë e pedagoges së Universitetit të Palo Altos, Kristin Bllejsi Ford, e cila nuk mbante mend detajet e sulmit të supozuar.
“Nuk e mbaj mend, nuk e mbaj mend dhe vetëm nuk e mbaj mend. E vetmja gjë që mbante mend ishte një shishe birrë që kishte në dorë”, tha Trump.
Një deklaratë kjo ndryshe nga ajo e javës së kaluar, kur Trump e kishte cilësuar Kristin Ford një “grua serioze dhe dëshmitare të besueshme”. Trump tha gjithashtu se meshkujt e rinj në Amerikë po përjetojnë kohë të frikshme, për faktin se mund të akuzohen për diçka që mund të mos e kenë bërë.
Por senatorët republikanë Xhef Flejk dhe Suzan Kollins, të cilët kanë dhe votat kyçe për konfirmimin e Bret Kavanah në krye të Gjykatës Supreme, nuk i kanë kursyer kritikat për presidentin. Flejk i ka cilësuar komentet e Trump “të tmerrshme”, ndërsa Kollins është shprehur se deklaratat ishin një “gabim i rëndë” i kreut të shtetit.
“Të prekësh një çështje kaq të ndjeshme në një miting politik nuk është e drejtë. Do të doja që ai të mos e kishte bërë”, ka thënë Flejk.
Kristin Ford ka akuzuar pretendentin për drejtimin e Gjykatës Supreme, Bret Kavanah për një agresion të kryer sipas saj 36 vjet më parë dhe senatori Flejk ishte ai që në Senat mbështeti hetimin e FBI-së./abcnews.al