Skënderbeu zhvilloi një ndeshje të mirë në “Loro Boriçi”, por humbi 2-1 dhe doli pa pikë. Trajneri i ekipit korçar Migen Memelli, dukshëm i zhgënjyer, foli për Supersport rreth duelit të luajtur në Shkodër.
“Një ndeshje me dy tablo, ishim më të kujdesshëm në pjesën e parë, kaluam në avantazh, por morëm një gol shpejt. Skuadra fillon e ndrydhet, por reaguam deri diku pas pësimit të golit të dytë. I duhen dhënë merita kundërshtarit, Vllaznia filloi të mbrohej me shumë forca.
Jam i zhgënjyer për mënyrën sesi humbëm. Nuk kam parë që të na dominojë ndonjë skuadër, por detajet na penalizojnë dhe na ulin ritmin e rezultatit. Përgjegjës jam unë, por sot na kushtuan dy gabime individuale.
Ndeshja e radhës? Bylis është një rival direkt për mbijetesën dhe do synojmë fitoren. Do tentojmë të ruajmë qetësinë në skuadër. Kemi cilësi, do të futemi në lojë për ta fituar ndeshjen me Bylisin. Jam shumë i zhgënjyer, por lojtarët janë njerëz dhe gabojnë.
Përgjegjësitë i marr unë, nuk dua t’ua lë lojtarëve. Problemi kryesor ishte koha e presionit te tre lojtarët e mesit të fushës. Ne jemi skuadër e konsoliduar në lojë tashmë. Qendra e majtë dhe e djathtë ishin në kohë vonesë, Vllaznia krijoi superioritet.
Nuk pamë dominancë të Vllaznisë, përveçse dy gabimeve tona, edhe pse dua ta komplimentoj Vllazninë“, deklaroi trajneri i skuadrës korçare. /abcnews.al