Bayern-Ajax do të jetë sfida e sotme klasike në Champions. Bëhet fjalë për një duel mes dy ekipeve që e kanë fituar 9 herë trofeun e Ligës së Kampionëve.
Historinë e kanë shkruar edhe kundër njëri-tjetrit. Bayern e Ajax janë dy nga klubet më të mëdhenj të Europës, dhe publiku do të ketë fatin t’i shohë sërish përballë, mbrëmjen e sotme të Championsit.
Ajax-i, katër herë kampion i kontinentit, udhëtoi me humorin e zakonshëm holandez, drejt Mynihut, ku do të luajë në orën 21:00.
Trajneri Ten Hag e di se ekipi i tij nuk është favorit, edhe pse përbëhet sot nga disa lojtarë të rinj tepër të talentuar si Van Ligt, De Jong apo Dolberg, por edhe nga ata me përvojë si Shëne, Tadiç e Blind. Minus tjetër janë mungesat si e De Jongut, Veltmanit apo Sinkgravenit.
“Bayern është favorit dhe kjo është e qartë, – shprehet Ten Hag, – madje fakti që vjen pas dy rezultateve jo edhe aq të mira, do të thotë se mund të jetë edhe më i rrezikshëm. E njoh ambientin tek bavarezët, dhe një pikë do të ishte mirë për ne, veçse ne e kemi traditë që të luajmë gjithnjë për fitore”.
Po Bajerni?
Kampionët e Gjermanisë e dinë se janë në borxh me tifozët e tyre pas barazimit në me Augsburgun e humbjen ndaj Hertës në Bundesligë. Trajneri Niko Kovaç provoi ndalesën e tij të parë si bavarez, por është i vendosur që gjendja të ndryshojë.
“Jam mërzitur shumë, ashtu si edhe lojtarët, – tha kroati, – por në stërvitje pashë se skuadra ka dëshirë të madhe të reagojë. Problemi ynë kryesor është humbja e shumë rasteve, kjo është arsyeja që nuk fituam në ndeshjet e fundit, dhe kjo duhet të ndryshojë. Ajaksi është shumë i talentuar, por ne duam fitoren”.
Një holandez kundër holandezëve do të jetë Arjen Roben.
“Ajax-i gjithnjë ka pasur lojtarë të talentuar, dhe gjithashtu grupi i sotëm është i tillë, – tha ish-lojtari i PSV Eindhoven, – duhet të japim maksimumin që të arrijmë të fitojmë ndaj tyre”.
Bavarezët gjithsesi do të kenë mungesa, pasi Toliso, Rafinja, Koman e Gorecka janë të përjashtuar këtë herë.
Bayern-Ajax është një klasike e futbollit europian, me dy gjigandët që janë ndeshur 8 herë që nga viti 1973, me bilancin 3 fitore për secilin ekip e dy barazime, me golat 16-15 për holandezët dhe me nga dy kualifikime. Gjermanët e kanë fituar 5 herë Championsin, ndërsa Ajaksi, katër herë./abcnews.al