VIDEO/ Tre të kuq: Monaco në gjysmëfinalet e Kupës, City triumfon në Premier

schedule23:10 - 21 Prill, 2021

schedule 23:10 - 21 Prill, 2021

Monaco është skuadra e radhës që siguron kualifikimin në gjysmëfinalet e Kupës së Francës, ndërsa Manchester City siguron fitoren e radhës në Premier League dhe vazhdon të marshojë drejt titullit kampion. Ekipi nga Principata fitoi 0-2 në fushën e Lyon. Pjesa e parë nuk prodhoi asnjë gol. E dyta nisi me rrjetën e ekipit vendas, por VAR-i frenoi festën e afrikanit Maxwel Cornet (në pozicion të parregullt).

Një minutë më pas, Lyon mbeti me dhjetë lojtarë pas daljes me karton të kuq të mbrojtësit Sinaly Diomande. Penallti për ekipin udhëtues, të cilën Ben Yedder e ktheu në gol. Monaco shfrytëzoi superioritetin numerik dhe vulosi fitoren e kalimin në katër ekipet më të mira të Kupës falë golit të gjermanit Kevin Volland pas një ore lojë.

24 sekonda mjaftuan që vinte goli i parë në sfidën Aston Villa-Manchester City, që përfundoi me fitoren 1-2 të skuadrës mike. Vendasit e nisën “zjarr” dhe kaluan në avantazh në minutën e parë falë  golit të John McGinn. Djemtë e Pep Guardiolës u zgjuan nga gjumi dhe përmbysën rezultatin që në fraksionin e parë të takimit.

Phil Foden finalizoi një aksion me kombinime të bukura në mesin e pjesës së parë, ndërsa tetë minuta më vonë realizoi me kokë spanjolli Rodri. “Cityzens” mbeten me dhjetë lojtarë në minutën e 44-t. Mbrojtësi John Stones kreu një fuall të rëndë dhe kryesori i ndeshjes i tregoi kartonin e kuq. Forcat në fushë u barazuan në minutën 57-të.

Matty Cash u ndëshkua me dy kartonë të verdhë brenda tre minutave, kështu që edhe Aston Villa mbeti me dhjetë lojtarët. City menaxhoi avantazhin dhe e sheh veten në kuotën e 77 pikëve. 11 pikë më pak dhe një ndeshje më shumë numëron Manchester United, teksa kanë mbetur për t’u luajtur edhe pesë javë kampionat. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!