Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka zhvilluar një takim online më presidentin e PPE, Donald Tusk dhe përfaqësues të lartë të PPE.
Donald Tusk theksoi se zgjedhjet e 25 prillit janë vendimtare për vendin, ndërsa u shpreh besimplotë se kryedemokrati do të realizojë integrimin e vendit në BE.
Nga ana tjetër kreu i PD-së Lulzim Basha, falënderoi Donald Tusk për mbështetjen, ndërsa shtoi se Partia Demokratike është e angazhuar për të hapur rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian dhe se dëshirën e shqiptarëve për ndryshim nuk mund ta ndalë asgjë.
“Eshtë një përgjegjësi e madhe për Partinë Demokratike dhe për mua nesër të jem në krye të popullit më pro-europian në botë dhe të jem pjesë e një familjeje politike që dominon sot Bashkimin Europian. Unë e di që kemi shumë punë për të bërë sëbashku për t’i kthyer në suksese sfidat më të cilat po përballemi.
Kështu punuam për liberalizimin e vizave, një proces shumë kompleks siç e dini shumë mirë pasi nënkryetari e theksoi gjatë bisedës time të fundit me të, se kishte shumë skepticizëm nga vendet anëtare por ne e bëmë atë realitet. Së bashku ne e bëmë atë të të mundur ashtu siç bëmë edhe me anëtarësimin në NATO.
Shqiptarët sot e dinë se… pa Europën ne nuk mund të ndërtojmë një ekonomi më të fortë. Dhe unë shpresoj dhe jam mirënjohës për mbështetjen e familjes sonë politike, për mbështetjen tuaj, për mbështetjen e të gjithë miqve tanë të dashur, për mbështetjen e vendeve anëtare për ta realizuar atë që presin sot shqiptarët, për të hapur negociatat në njëqind ditët e para të qeverisë tonë”, tha Basha.
Gjithashtu Presidenti i PPE-së bëri thirrje që qytetarët të votojnë ndryshimin në zgjedhjet e 25 prillit.
Më tej ai theksoi se qeveria duhet të mundësojë zgjedhjet të lira dhe të ndershme, dhe të mos përdorë presion mbi njerëzit për të prishur zgjedhjet.
“Unë shoh ekipin tuaj shumë përfaqësues të grave dhe të rinjve, gjë që gjithashtu më bën të shpresoj se ky ndryshim mund të jetë i suksesshëm. Partisë Demokratike i duhet shumica parlamentare për të pasur sukses. Thirrja ime sot për qeverinë është që të garantojë zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe të mos përdor paratë e pista, presion mbi njerëzit dhe blerjen e votës për të prishur zgjedhjet. Shpresoj që njerëzit do ta kuptojnë se nëse duan ndryshimin, duhet të votojnë për ndryshim. Votoni 9”, tha ai.
/abcnews.al/