Mjekët dhe infermierët morën falenderimet e Ambasadores së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë Yuri Kim për punën e bërë në këto kohë të vështira pandemie të Covid 19.
Ambasadorja Kim mesazhin e saj e dha nga Spitali Amerikan 3 në kryeqytet.
Paraditen e të hënës Kim vizitoi mjediset e këtij spitali dhe zhvilloi një takim dypalësh me CEO-n e Spitalit Amerikan Klodian Allajbeu.
Ambasadorja e SHBA dhe CEO i Spitalit Amerikan biseduan rreth rëndësisë dhe impaktit të personelit shëndetësore gjatë pandemisë së koronavirusit si dhe mbarëvajtjes së Spitalit Amerikan si një biznes i investuar nga Fondi Amerikan.
Kim falenderoi bluzat e bardha për përkushtimin e treguar çdo ditë ndërsa doktor Allajbeu e njohu ambasadoren me hapësirat spitalore në dispozicion.
Ky është i pari spital privat në Shqipëri dhe një nga punëdhënësit më të mëdhenj në vend me më shumë se 2700 punonjës të kujdesit shëndetësor.
Spitali Amerikan ka sjellë ekspertizën më të mirë ndërkombëtare në fushën e shëndetësisë.
Pas këtij investimi qëndrojnë investitorë të huaj si Shtetet e Bashkuara të Amerikës me Agjencinë e Investimeve të qeverisë Amerikane, Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim si dhe SEEF II./abcnews.al