Liderët politikë në Maqedoni kanë patur reagime të ndryshme në përfundim të referendumit që rezultoi me një pjesëmarrje minimale. Kryeministri Zoran Zaev ka deklaruar se, në rast dështimi vendi duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme.
Lideri shqiptar Ali Ahmeti ka theksuar se çështja duhet të zgjidhet nga Kuvendi dhe është shprehur kundër opsionit të zgjedhjeve. Ndërsa për opozitën, qytetarët maqedonas hodhën poshtë një marrëveshje të turpshme.
Zoran Zaev: “Vota e Parlamentit duhet të jetë votë për NATO-n dhe BE-në. Pres nga deputetët e VMRO-DPMNE-së që të respektojnë vullnetin e qytetarëve, në të kundër duhet të shkojmë menjëherë në zgjedhje parlamentare”.
Ali Ahmeti: “Sot qytetarët e vendit ia deleguan vendimmarrjen Kuvendit të Maqedonisë dhe deputetëve. Ne jemi zgjedhur që të marrim vendime të rëndësishme dhe jo të kalkulojmë për zgjedhjet e ardhshme. Me vendin tonë në Kuvend ne përcaktojmë të ardhmen e vendit tonë dhe Evropës juglindore”.
Mickovski: “Maqedonia sot tregoi se marrëveshja është e papranueshme. Kemi një referendum të dështuar. Politika e Zaev pësoi disfatë, ndërsa Maqedonia fitoi. Numri i qytetarëve që nuk mbështetën paktin e turpshëm është shumë më i lartë se numri i atyre që votuan pro”./abcnews.al