Janë arrestuar dy kontrollorë në aeroportin Nënë Tereza të cilët dyshohen se janë bashkëpunëtorë në dërgimin e paligjshëm të 300 shqiptarëve drejt Mbretërisë së Bashkuar, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kanadasë.
Dy punonjës policie me detyrë kontrollorë në aeroportin e Rinasit janë arrestuar si bashkëpunëtorë në grupet e strukturuara kriminale të cilët kanë mundësuar kontrabandimin e mbi 300 shtetasve shqiptarë në drejtim të vendeve si Mbretërisë së Bashkuar, SHBA-së dhe Kanadasë.
Finalizimin e pjesës së dytë të Mega – Operacionit të koduar “One If By Land” bën publike Drejtori i departamentit të Policisë kriminale ne policinë e shtetit Eduart Merkaj.
“Më konkretisht janë arrestuar me vendim të Gjykatës së Krimeve të Rënda, punonjësit e policisë :
- Almir DODA, lindur në Mirditë dhe banues në Tiranë, për veprat penale të “ Ndihmës për kalim të paligjshëm të kufijve” kryer në formën e grupit të strukturuar kriminal.
- Edmond Llaçini, për kryerjen e veprave penale të “ Ndihmës për kalim të paligjshëm të kufijve” kryer në formën e grupit të strukturuar kriminal”.
Si rrjedhojë e hetimit intensiv dhe bashkëpunimit ndërkombëtar me kërkesë të Prokurorisë për Krime të Rënda, Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda ka nxjerrë masën e sigurimit “Arrest në burg” për 5 shtetas maqedonas, si dhe 1 shtetas shqiptar që është punonjës pranë Kompanisë Security të Aeroportit “Nënë Tereza” të Rinasit.
Nga hetimet e deritanishme rezulton se këta shtetas kishin role drejtuese në këtë grup të strukturuar kriminal.
Policia e Shtetit ka marrë të gjitha masat ligjore dhe po bashkëpunohet me homologët tanë, për ekzekutimin e këtyre masave të sigurimit personal për këta shtetas.
Mega – Operacioni i koduar “One If By Land” vazhdon. Të dhënat e deritanishme të hetimit kanë treguar se 7 grupe të strukturuara kriminale, të cilat operonin në Shqipëri, Bullgari, Spanjë, Francë, Republikën Domenikane, Itali, Mbretëri e Bashkuar, SHBA, Kanada, kanë mundësuar kontrabandimin e mbi 300 shtetasve shqiptarë në drejtim të vendeve si Mbretërisë së Bashkuar, SHBA-së dhe Kanadasë.
Për çdo person paguhej nga 7000 paund për në Mbretërinë e Bashkuar dhe nga 25 000 – 30 000 dollarë për në SHBA dhe Kanada.
Pjesëtarët e këtyre grupeve kriminale përmes veprimeve aktive ndihmonin shtetasit shqiptarë të interesuar që nëpërmjet këtyre itinerareve të emigronin në mënyrë të paligjshme, duke falsifikuar dokumenta udhëtimi dhe identiteti të vendeve të Bashkimit Evropian. /abcnews.al