Defekt në sistemin e sigurisë së Facebook

schedule23:25 - 28 Shtator, 2018

schedule 23:25 - 28 Shtator, 2018

Një defekt në sistemin e sigurisë ka bërë që rrjeti social Facebook të bjerë pre e një sulmi kibernetik, që ka kompromentuar profilet e 50 milionë përdoruesve. Megjithatë, drejtuesit e kompanisë kanë bërë me dije se defekti është riparuar dhe gjithçka është kthyer në normalitet.

Rrjeti social Facebook ka deklaruar se rreth 50 milionë përdorues të tij janë të ekspozuar ndaj defekteve që lidhen me sigurinë. Kompania ka bërë me dije se një numër hakerash kanë mundur të hyjnë në sistem pasi kanë gjetur pika të dobëta dhe kanë mundur të marrin nën kontroll profilet e përdoruesve.

Depërtimi i piratëve informatikë u konstatua ditën e martë, ka bërë të ditur më tej Facebook, duke shtuar se ka vënë në dijeni autoritetet policore. Abonentëve që ishin prekur nga ndërhyrja iu bë e ditur se mund të hynin sërish në profilin e tyre këtë të premte pa ndryshuar fjalëkalimin.

“Defekti është riparuar, të gjitha llogaritë janë sistemuar dhe bashkë me to janë përforcuar ato të 40 milionë abonentëve të tjerë”, ka deklaruar shefi i sigurisë së rrjetit social, Gaj Rozen. Përgjegjësi për sigurinë nuk ka saktësuar se në cilat vende të botës ndodhen përdoruesit e prekur nga sulmi, por grupi ka njoftuar entet për kontrollin e të dhënave në Irlandë, ku ndodhet baza e kompanisë vartëse të Facebook. Punonjësve të rrjetit social u duhet ende të zbulojnë nëse profilet e dhunuara janë keqpërdorur, cilët janë autorët e sulmeve dhe nga cili vend vijnë. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!