Alarm në Siberi pas vdekjes së një punonjëseje 28-vjeçare në një institut rus kërkimor të specializuar në studimin e sëmundjeve te rrezikshme. Një epruvetë që përmbante baktere, e cila dyshohet se është thyer aksidentalisht gjatë punës në laborator, mund të ketë ekspozuar ndaj infeksionit Daria Shipilovën.
Pas vdekjes së saj, rreth 200 persona që mund të kenë pasur kontakt me të janë vendosur në karantinë dhe po mbahen nën vëzhgim mjekësor.
Shipilova punonte në Institutin e Kërkimeve Kundër Murtajës ne Irkutsuk dhe ishte e specializuar në trajtimin dhe studimin e patogjenëve të rrezikshëm.
Gjendja e 28-vjeçares u përkeqësua me shpejtësi. Ajo u dërgua në spital me simptoma të rënda pulmonare dhe, pavarësisht trajtimit intensiv dhe vendosjes në ventilim mekanik, nuk mundi të mbijetojë.
Murtaja shkaktohet nga bakteri Yersinia pestis. Bëhet fjalë për një bakter që shkakton murtajën dhe infekton mushkëritë.
Ndërkohë, situata në rajonin e Irkutskut po monitorohet nga autoritetet shëndetësore, ndërsa personat që kanë pasur kontakt të mundshëm me 28-vjeçaren mbeten nën vëzhgim mjekësor.


