Basha në një biznes kulinarie në Tiranë: Do të jem kryeministër i të gjithëve, ndryshimi në dorën tuaj

schedule14:10 - 15 Prill, 2021

schedule 14:10 - 15 Prill, 2021

Kryetari i partisë Demokratike Lulzim Basha në kuadër të fushatës elektorale këtë të enjte ka zhvilluar një takim me të rinj dhe student në një biznes kulinarie në Tiranë.

Në fjalën e tij para studentëve, kreu i opozitës e ka cilësuar këtë shkollë si një nga më uniket në Ballkan.

Kryedemokrati tha se vota për numrin 9 më 25 prill do t’i jap fund klimës së represionit ndaj qytetarëve, ndaj medias e në veçanti ndaj sipërmarrjes shqiptare.

Ai gjithashtu përsëriti se me bashkëpunimin e Partisë Demokratike me Aleancën Europiane të Universiteteve do t’u mundësoj të rinjve trajnime në profesione të ndryshme dhe lidhjen me tregun e punës.

“Zgjedhjet e 25 prillit janë ndoshta më të rëndësishmet që nga ndërrimi i sistemit. Është momenti kur me votën tuaj , ju keni përgjegjësinë dhe fuqinë të vendosni nëse do të vazhdojmë edhe 4 vjet të tjera kështu, siç kemi qenë këto 8 vite në vendnumëro apo nëse do të ecim përpara në standardin ekonomik, në rritjen e mirëqenies, në rritjen e punësimit, në rritjen e pagave dhe në hapjen e rrugës së anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Ditët e fundit, siç më keni ndjekur edhe nga media, unë kam qenë në kontakt me autoritetet më të larta të Bashkimit Europian. Në bisedën e fundit që pata me zëvendës Presidentin e Komisionit, i shpjegova se pjesë kryesore e planit tonë është të ndalim emigracionin e të rinjve. Dhe këtë mund ta bëjnë vetëm përmes një reforme në arsim, që do të sjellë trajnimin profesional të rinisë shqiptare. Për këto arsye, e kemi bërë gati marrëveshjen me Aleancën Europiane të Universiteteve me një nga organizatat më të mëdha gjermane dhe europiane të trajnimit profesional në mbi 20 profesione të ndryshme.

Dhe kjo do të na mundësojë shumë shpejt që këto standarde të trajnimit profesional që janë unike për Shqipërinë, të jenë këtu, tek ky universitet do thoja, te kjo akademi e profesionistëve në fushën e kulinarisë, t’i shtrijmë në të gjitha fushat e tjera, elektricist, mekanik, hidraulik, tornitor, zdruktharë, të çdo profesioni, por edhe profesione të tjera të inxhinierisë, në fushën e teknologjisë së informacionit, të ekonomisë, administrim-biznesi sepse kyçi i suksesit të trajnimit në këtë fushë që është ndërthurja e teorisë me praktikën. Kush më mirë se ju e di, që në qoftë se nuk do të kishit mundësinë të praktikoheni siç praktikoheni ditë për ditë, thjesht të uleshit në banka dhe në dërrasë të zezë t’ju thonë “kjo gjellë bëhet kështu apo ky gatim bëhet kështu”, do të kishte 0 vlerë.

Nuk do t’ju përgatiste për tregun e punës. A është kështu apo jo? Në fakt është praktika, është madje raporti i përmbysur, ku këtu ka më shumë praktikë se sa teori, që juve ju jep besimin dhe ju bën gati që nesër të bëheni pjesë e tregut të punës por për këtë sigurisht, duhet të  kemi një treg pune, duhet të kemi një turizëm jo dymujor dhe anemik, por tetëmujor, nëntëmujor dhe të shtrirë jo vetëm në vijën bregdetare por edhe në malet tona të bukura dhe në qendrat tona urbane dhe kudo në hartën e trashëgimisë sonë të pasur kulturore e historike të Shqipërisë. Ajo që ka ndodhur këtu, dua ta them fare qartë, është prova e suksesit që do të kemi nesër.

 I vetmi që s’ka marrë përgjegjësitë e tij është ai që ka lënë Shqipërinë 8 vite në vend numëro. Këtu ky është një tempull. Ky është një tempull  i suksesit të sipërmarrjes Shqiptare, i suksesit të edukimit profesional të rinisë. Çdo politikan e në veçanti i pari i qeverisë duhet të vinte këtu e ta tregonte me gisht këtë shembull, ta mbështeste financiarisht këtë shembull në mënyrë që të inkurajonte dhjetëra, qindra sipërmarrës të tjerë të bënin të njëjtën gjë. Në fushën e zdruktharisë, të energjisë, të trajnimit për elektricistët, për hidraulikët, të inkurajoheni në universitet, ta merrni këtë përvojë, por jo, jo, sepse këto 8 vite biznesi e në veçanti biznesi i suksesshëm vetëm është goditur, është goditur sa nga zilia e të paaftit kur e shikon të aftin të prodhojë diçka të mirë të bukur, sa nga fakti që shteti këto 8 vite iu ka shërbyer një grushti njerëzish. Ndryshimi, ndryshimi është rruga e vetme përpara, unë e di këtë dhe e dëgjova sot edhe nga goja juaj, e vajzave e djemve, e pedagogëve që takova këtu dhe dua t’ju them që këtë që e ndjej këtu e ndjej në çdo shesh, në çdo rrugë, në çdo qytet, në çdo fshat. Ndryshimi do të thotë ta shumëfishojmë aftësinë, mundësinë, kapacitetin e kësaj sipërmarrje të mrekullueshme.

Ndryshim do të thotë të investojmë në një turizëm jo anemik por të fuqishëm se nuk na mungon asgjë, zoti na ka bekuar me bukuritë natyrore, me historitë, me pasuritë e mëdha të kulturës, me vijën bregdetare, nuk na mungon asgjë. Na duhet vetëm që këto pasuri ti vëmë në funksion të njerëzve. pra një qeveri që u shërben të gjithëve, jo vetëm një grushti njerëzish. Ky është ndryshimi, ky vendim do të merret shumë shpejt miqtë e mi, ju e dini, koha është shumë e rëndësishme, në cilindo prej departamenteve që jeni duke u trajnuar e dini që nuk duhet pritur asnjë moment më shumë përndryshe prishet, prishet gatimi, prishet gjithë mundi, në qoftë se e lini pak më shumë në furrë digjet, prandaj 25 prilli është dita për ta marrë të vendim, do të vazhdoni edhe 4 vite të tjera kështu, pas 8 vitesh dështimesh, i njëjti dështim po troket përsëri në derë, apo do të bashkohemi të gjithë e të vendosim për ndryshimin”, ka thënë Basha./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!