Plagosja e dy policëve në Mamurras, shpallen në kërkim dy të afërmit e ish-deputetit

schedule16:37 - 13 Prill, 2021

schedule 16:37 - 13 Prill, 2021

ABC ka mësuar se një nga autorët e dyshuar të ngjarjes së rëndë të ndodhur pasditen e sotme në Mamurras është edhe i afërmi i deputetit Mëhill Fufi, Nikollë Vorfi, por me mbiemrin e ndryshuar njihej edhe si Nikollë Fufi. Ky i fundit jeton në Italia, por që kishte ardhur në Shqipëri. Ndërkohë burime për ABC bëjnë të ditur se janë shpallur në kërkim edhe Ndue Zefi e Gjon Fufi, të afërm të ish-deputetit.

Nga konflikti në Mamurrës, mbetën të plagosur dy efektivët e policisë, Flamur Lleja dhe Ilir Zekaj, si dhe Nikollë Vorfi i cili dyshohet të ketë nisur sherrin.

Patrulla e tre efektivëve  kanë tentuar që të ndalojnë dy të rinjtë që udhëtonin me makinën  e tyre, pasi kishin kryer manovra të rrezikshme dhe kishin kaluar kundravajtje. Në momentin që kanë kaluar policinë, ata nuk kanë ndaluar, në këtë kohë patrulla është vënë në ndjek të tyre duke mundur ti ndalojë në qendër të Mamurrasit. Të rinjtë kanë hapur krahun dhe kanë ndaluar, më pas është afruar edhe patrulla e policisë. Brenda makinës kanë qenë dy persona, por sapo kanë parë që janë ndaluar nga policia, rreth 5-6 persona të tjerë janë afruar pranë të rinjve.

Gazetarja e ABC, Xhensila Kodra, bën të ditur se në këtë moment Nikollë Vorfi ka dalë nga makina dhe ka qëlluar ndaj efektivëve të policisë duke goditur njërin prej tyre me sende të forta. Pas kësaj një nga efektivët e policisë i identifikuar si David Magani ka hapur zjarr duke e plagosur në këmbë, por të plagosur kanë mbetur edhe dy kolegët e tij, fatmirësisht jashtë rrezikut për jetën.

Një prej autorëve të kësaj ngjarje të rëndë, që ka mbetur i plagosur edhe vetë, dyshohet se është i afërm me ish deputetin e Partisë Demokratike, Mhill Fufi. Autori në fjalë nga të dhënat paraprake është identifikuar si Nikollë Vorfi, por me mbiemrin e ndryshuar njihej edhe si Nikollë Fufi. Në 2016-s, Mhill Fufi u përjashtua nga grupi parlamentar i PD-së pasi në kundërshtim me vendimin e partisë, ai qëndroi në sallën e Kuvendit dhe votoi për ligjin e organeve të qeverisjes së sistemit gjyqësor. Më pas Fufi u klasifikua nga Prokuroria si një ndër deputetët që dyshohej se kishte falsifikuar formularin e dekriminalizimit. Fufi më pas u emërua  drejtor i Transportit Rrugor për Qarkun e Lezhës.

Nga të shtënat me armë plumbat kanë kapur edhe një makinë të parkuar buzë rrugës, ndërsa fatmirësisht kanë shpëtuar kalimtarë të rastit

Autorët janë larguar me një automjet tip Audi nga vendi i ngjarjes, ndërsa të dhënat e mjetit se bashku me makinën u janë shpërndarë të gjitha pikave të policisë jo vetme në Mamurras por dhe qytete të tjera për të bere ndalimin e tyre.

Deri më tani në lidhje me këtë ngjarje janë shoqëruar 7 persona, dy prej të cilëve dyshohet të jenë autorë të plagosjes. Mësohet se Nikollë Vorfi momentalisht është paraqitur në spitalin e Traumës ku po merr mjekimin e nevojshëm. Pritet që nga momenti në moment policia ta arrestojë për të bërë më pas sqarimin e plotë të rrethanave./abcnews.al/