Skënderbeu vijon të marrë pikë dhe këtë herë ia ka dalë me Tiranën kampione në fuqi. Korçarët barazuan pa gola në shtëpi dhe shpresojnë që nesër Bylisi të humbasë. Trajneri Migen Memelli, pas ndeshjes foli në emisionin “Gol pas Goli” në Supersport.
“Të dyja skuadrat kishin objektiva të ndryshme. Ata kanë cilësi individuale, por edhe grupin. E dinim që ishte e vështirë, ndaj u munduam të ishim agresivë në markime një kundër një. Ata kanë cilësi që mund ta zgjidhin ndeshjen. Nuk kishte shumë raste, edhe pse u munduam në goditje standarde. Kam dyshime për një rast. Skuadrat morën atë që paraqitën në fushë”.
“Janë edhe 9 javë, do e respektojmë kampionatin. Kundërshtarët bëjnë të tyren, ne tonën. Më bën optimist fakti që nuk na kanë mundur skuadra të forta si Kukësi, Partizani dhe Tirana sot. Goli i anuluar? Kam dyshime, nuk thashë se është penallti”.
“Loja e kujdesshme? E dinim që ata do e mbanin topin, i kanë cilësitë. Lojtarët tanë vrapojnë shumë më tepër. Hoxha Vangjelin në lojë për ta freskuar lojën, kurse Marën e kalova në sulm të mbante pak topin. Nuk patëm efikasitet gjithsesi. E përsëris që skuadrat morën atë që dhanë në fushë”.
“Me bindje të plotë them se do e merrnim një pikë. I izoluam pikat e forta të Tiranës. Duke e bërë këtë u bë më e thjeshtë. Sa i takon Kupës, do ketë konsumim energjie. Mos të harrojmë se luajmë ndeshjen tonë në Durrës, si duel i radhës. Do tentojmë finalen. I Duam të dyja ndeshjet me Teutën, në kupë dhe kampionat”. /abcnews.al