Dëmtimi i Virgil Van Dijk i ka shkaktuar probleme të mëdha Liverpool këtë sezon. Lideri i prapavijës vazhdon të qëndrojë jashtë fushave, duke dobësuar shumë repartin defensiv të skuadrës së Jurgen Klopp.
Drejtuesit e “The Reds” kanë piketuar prej kohësh Ibrahima Konate të Leipzig. 21-vjeçari është pjesë e Leipzig prej vitit 2017, ndërsa luan edhe me kombëtaren U21 të Francës. Konate është kthyer në një nga pikat më të forta të ekipit gjerman.
Bild raporton se klauzola e largimit të tij nuk është 40 milion euro siç është përfolur në media të ndryshme. Për të transferuar lojtarin francez në “Anfield”, Liverpool duhet të paguajë 32.5-34 milion euro.
Kjo shumë nuk është aspak problem për klubin ishullor, që ka vendosur të intensifikojë bisedimet me agjentin e qendërmbrojtësit dhe homologët e Leipzig. /abcnews.al