Rummenigge: Boll me Flick, më lodhët! Moment kyç, të qëndrojmë të bashkuar

schedule12:55 - 9 Prill, 2021

schedule 12:55 - 9 Prill, 2021

Emri i Hansi Flick përflitet prej kohësh si pasuesi i Joachim Low në stolin e kombëtares gjermane. Një gjë e tillë ka filluar ta shqetësojë Bayern Munchen dhe CEO i klubit, Karl-Heinz Rummennige, nuk dëshiron ta dëgjojë më këtë temë.

Në një prononcim për Bild, drejtuesi i kampionëve të Gjermanisë, Evropës dhe Botës, jep një koment për të gjithë në kampin bavarez. Raporti mes trajnerit Flick dhe Hasan Salihamidzic, drejtorit sportiv, nuk ka qenë i mirë kohët e fundit.

Shkaku? Lojtarët që do të largohen me parametra zero në fund të sezonit. Molla e sherrit është Jerome Boateng. Mbrojtësi i njohur do të largohet si lojtar i lirë. Flick vijon ta aktivizojë si titullar, teksa Salihamidzic kërkon që t’i jepet më shumë hapësira ndonjë lojtari tjetër.

Duhet të qëndrojmë të bashkuar, duhet të punojmë në mënyrë harmonike, të ndershme dhe profesionale. Kjo është ajo që kërkoj dhe ajo çfarë ka përfaqësuar gjithmonë Bayern Munchen.

Flick do zëvendësojë Low? Kjo temë duhet të mbyllet përfundimisht. Nuk është e nevojshme të japim gjithmonë një koment për këtë argument, sidomos tani që jemi në fazën vendimtare të sezonit.

Kryesojmë Bundesligën me 7 pikë më shumë se vendi i dytë dhe kemi akoma mundësi të kualifikohemi në gjysmëfinalet e Champions League, pavarësisht humbjes 2-3 me PSG. Na nevojitet qetësi dhe përqendrim maksimal“, theksoi Rummenigge. /abcnews.al