Në fjalimin e tij në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, Donald Trump e ka propaganduar veten si presidenti më i mirë i të gjitha kohërave. Sa u takon çështjeve të tjera, Trump ka kritikuar Iranin për qëndrim destruktiv dhe Kinën për praktikat e saj tregtare.
Në fjalimin e tij në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, Donald Trump ka deklaruar se në dy vjet ka lënë pas parardhësit e tij. “Në më pak se dy vjet administrata ime ka arritur më shumë se thuajse çdo administratë në historinë e vendit tonë”, ka deklaruar Trump. Sipas Trump, tani Shtetet e Bashkuara janë një vend më i sigurtë, më i fortë dhe më i pasur. Fjalët e tij janë pritur me të qeshura nga delegatët e mbledhur, por edhe presidenti ka reaguar me humor. “Nuk e prisja një reagim të tillë, po s’ka gjë”, ka thënë ai. Më pas presidenti amerikan iu është kthyer temave kyçe të asamblesë, duke kritikuar Iranin e duke e quajtur një “diktaturë të korruptuar” që po plaçkit popullin iranian për të kryer aksione agresive jashtë vendit. “Liderët iranianë kërkojnë kaos, vdekje dhe shkatërrim. Ata nuk i respektojnë fqinjët e tyre, kufijtë dhe sovranitetin e vendeve të tjera”, ka deklaruar Trump.
Shefi i Shtëpisë së Bardhë i ka krahasuar marrëdhëniet me Republikën Islamike me marrëdhëniet sipas tij të përmirësuara me Kim Jong Un, të cilin e ka vlerësuar për ndërprerjen e aktiviteteve bërthamore, ndryshe nga një vit më parë kur e kishte cilësuar liderin koreano-verior një “njeri raketash” të fiksuar pas shkatërrimit bërthamor. “Irani është sjellë shumë keq. Ne presim të kemi një marrëdhënie më të mirë, por kjo nuk do të ndodhë tani”, ka vijuar Trump. Mes të tjerash, presidenti amerikan e ka përdorur fjalimin e tij për të bërë thirrje për reforma për tregtinë ndërkombëtare dhe ka insistuar se objektivi i tij kryesor është të mbrojë sovranitetin e Amerikës. Ai i ka bërë thirrje kartelit të naftës OPEC që të ndalojë rritjen e çmimeve dhe ka kritikuar Kinën për praktikat e saj tregtare. Më herët, përmes një postimi në Twitter, Trump bëri të ditur se nuk do të takohet me homologun Hasan Ruhani, një takim që u përfol se do të mbahej në kuadër të punimeve të asamblesë. Nga ana tjetër, edhe delegacioni iranian ka hedhur poshtë mundësinë e një takimi të tillë./abcnews.al