Granada është pengesa që duhet të kalojë Manchester United për të kaluar në gjysmëfinalet e Europa League. Dueli i parë çerekfinal do të luhet në Spanjë nesër në mbrëmje, aty ku Ole Gunnar Solskjaer flet rreth konkurrencës së madhe që ekziston tek ekipi i tij.
“Nuk mund të zgjedh midis Premier League apo Europa League. Nuk kemi prioritete, çdo ndeshje është e rëndësishme për ne. Gjithmonë bisedoj me lojtarët që nuk luajnë. U shpjegoj atyre se çfarë duhet të bëjnë dhe cili është plani im që kam për ta.
Sigurisht që të gjitha këto biseda mbeten private. Kur je pjesë e United, lojtarët nuk vijnë këtu për t’u bërë titullarë ose për të ngrohur stolin: të gjithë e kanë ambicien për të luajtur. Më ka ndodhur edhe mua një situatë e ngjashme kur isha futbollist.
Kishim në sulm emra si Rooney, Sheringham, Forlan, Saha dhe Yorke. E dini cili ishte synimi im? Doja t’i thoja trajnerit: nuk më vjen keq pse blen kaq shumë sulmues, e di që jam i rëndësishëm për ty. Do të jap gjithçka kam për të luajtur“, deklaroi trajneri i United. /abcnews.al