Vera 2021, hapet Shqipëria? Ekspertët: Do ketë edhe abuzime. Pashaportë turistike edhe tek ne?

schedule18:16 - 5 Prill, 2021

schedule 18:16 - 5 Prill, 2021

Gladiola Dona, Flora Xhemani Baba dhe Ergys Vladi ishin të pranishëm në programin ‘Abc e Pasdites’ me moderatorin Ermal Peçi ku biseduan për turizmin 2021. A do të kemi këtë verë pa kufizime dhe në cilat kushte do të zhvillohet? Ishte kjo një pyetje që hapi diskutim mes të pranishmëve në studio. Megjithatë ata në një pikë ranë dakord që në vendin tonë është disi e pamundur që të respektohen të gjitha masat me rigorozitet, sikurse pritet të ndodh në vende si Tailanda, Kina, Britania, USA apo edhe vendet e tjera të Evropës.  Ermali përmend hotelet në Turqi, ku gjysma e strukturave në këto hotele është gjithmonë gati për një karantinë të mundshme duke shtruar pyetjen: “Po hotelet në Shqipëri kanë struktura të tilla”?

“Njësoj ishte edhe rregulli në Shqipëri, Bufe-ja do të ishte me shërbim nga stafi, ndërkohë që nuk ndodhi. U tha që shërbimi do jetë në dhomë, por edhe kjo nuk ndodhi. Do jetë i paketuar, por edhe kjo nuk ndodhi”, tha Gladiola.

Por a do të jetë e vlefshme një pasaportë Covid 19 edhe në Shqipëri? Flora nënvizoi se do të jetë e vlefshme por jo e detyrueshme sepse Shqipëria do të jetë vend i hapur dhe nuk do të ketë kontroll. Por a a do ketë abuzime me respektimet e masave të caktuara?

“Do t’i bëjnë të dy sytë qorr dhe të dy veshët shurdhë kur të jetë puna për të pasur turistin. Sidomos ajo kategori e bizneseve turistike të cilat janë bizneset e transportit, pra kompanitë që kanë autobusët, makinat, që i përdorin për turet e tyre, por dhe ata që i japin me qira. I tejmbushin gjithmonë. Nuk respektojnë masat! Nuk i detyrojnë dot njerëzit që të respektojnë masat”, tha Flora.

A do ndikojnë këto shqeteësime tek rritja e çmimeve? Ergysi tha se nuk do të ketë rritje të kostve, por ka një treg me dy standarde sa i takon agjencive turistike, çka sjell edhe abuzime./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!