Skënderbeu dhe Partizani mund të cilësohen si pretendentët kryesorë për titullin kampion. Kështu mendon ish-lojtari i kombëtares, Afrim Tole, që bën një analizë të Superligës në intervistën për ABC Neës.
Kritikat për nivelin vazhdojnë, por ka edhe diferencime.
Superliga shqiptare vërtet nuk është në nivelin e vitit të kaluar, por ka ekipe që marrin notë pozitive, të paktën sipas një njeriu të futbollit, si Afrim Tole.
Ish-lojtari i Tiranës, Partizanit dhe kombëtares, vlerëson Skënderbeun dhe trajnerin Orges Shehi, pavarësisht barazimit me Tiranën.
“Atë që e bën të suksesshëm dhe punët të ecin mirë, besoj se Orgesi është menaxher i mirë. Di të komunikojë. Vazhdon të jetë menaxhim shumë i mirë i Skënderbeut dhe ka punuar me plan afat-gjatë. Të gjithëve u është dhënë mundësia për të luajtur diku jashtë”, shprehet Tole.
Po Partizani, për të cilin vjet thuhej se kishte më shumë drejtorë se punëtorë?
“Vjet po. Kur i shikoje të vinte dhe për të qeshur. Ky është vit që e ka marrë edhe një çikë më seriozisht presidenti Demi. Them që do të jetë rival kryesor për titullin kampion. Unë uroj ta fitojë këtë vit Partizani që edhe kupa të vijë në Tiranë se u bënë vite që ngeli në Korçë”, thotë Tole.
Tole sheh probleme tek Tirana dhe Flamurtari.
“Pavarësisht se Ze Maria është një trajner i mirë, emër i madh, nuk mund të lesh në stol Karabecin për inate personale. Tirana ka një fanellë që të mendosh ta stërvisësh Tiranën është luks i madh. Në Vlorë ka probleme por nuk është faji i Dajës, është diçka e mbartur në vite. Uroj që Daja t’i japë një atmosferë tjetër ekipit”, tregoi Tole.
Në pretendime edhe Kukësi, ndonëse trajneri Cungu nuk do ta ketë të lehtë.
“Problem ka Kukësi, që s’ka Musollin që është i dëmtuar. Për mua një nga lojtarët më të mirë të kampionatit, që udhëheq ekipin. Problem ka se nuk po dhënon, domethënë shënon Shameti”, thotë ish-futbollisti Tole./abcnews.al