Në cilat raste fletëvotimet do të konsiderohen të pavlefshme? Sqaron për ABC Celibashi

schedule11:24 - 5 Prill, 2021

schedule 11:24 - 5 Prill, 2021

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi në një konferencë për mediat ka bërë thirrje për një fushatë të qetë, ndërsa u bëri thirrje partive dhe jo vetëm që çfarë vlen për t’u korrigjuar të korrigjohet në kohë.

Po ashtu, i pyetur nga gazetarja e ABC Esiona Konomi, Celibashi ka treguar se në cilat raste fletët e votimit do të vlerësohen si të vlefshme apo të pavlefshme.

Kryekomisioneri tregoi që fleta e votimit do të quhet e vlefshme vetëm nëse në të është votuar një kandidat dhe partia apo koalicioni në të cilin ai bën pjesë. Pra, zgjidhet kandidati dhe partia. Nëse votuesit votojnë kandidatin e një partie apo koalicioni dhe një parti tjetër, atëherë fleta e votimit do të konsiderohet e pavlefshme.

Gjithashtu, Celibashi sqaroi se votuesit mund të votojnë edhe vetëm një parti pa zgjedhur kandidat, apo edhe vetëm kandidatin, pa zgjedhur partinë ku ai bën pjesë. Në një fletëvotimi, nuk mund të votohen dy parti, apo dy kandidatë.

Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi theksoi se votuesit, përpara se të shkojnë të votojnë duhet që t’i kenë të qartë numrin e kandidatit apo të partisë që do të mbështesin. Kjo për faktin sepse tashmë u vendos që në fletë nuk do të ketë emra kandidatësh.

Veç kësaj, për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve, në çdo qendër votimi do të vendosen postera në të cilët do të tregohet se çfarë numri ka çdo kandidat, parti apo koalicion. Do të vendosen edhe fletëpalosje në dhomën e fshehtë për ata që mund të kenë konfuzione të momentit të fundit. sb/abcnews.al/