Tirana dje arriti të fitojë ndaj Apolonisë me shifrat 5-2. Seferi nuk shënoi, por sërish ishte i rëndësishëm thuajse në të gjitha aksionet sulmuese të Tiranës. Pas ndeshjes për Zona Gol sulmusi tregoi për titullin, objektivat dhe të ardhmen.
TIRANA – “Jam në klubin më të madh në Shqipëri, në klubin me më shumë tituj. Unë mundohem të jap gjithmonë maksimumin tim, të jem vetvetja dhe i ndërgjegjshëm që kam dhënë më të mirën si në stërvitje, po ashtu edhe në ndeshje”.
OBJEKTIVI – “Ka njerëz që më ngacmojnë, më shkruajnë pse nuk bërë gol?! Për mua rëndësi ka skuadra, të jem aty për ekipin tim, ta ndihmoj skuadrën dhe kur Tirana ka rezultate të mira, edhe unë jam i lumtur. Normalisht çdo sulmues dëshiron të shënojë, por besoj që edhe golat do vijnë. Kam objektiv të shënojë edhe 5 apo 6 gola të tjerë”.
TITULLI – “Gjithçka është e hapur dhe mendoj se kemi shanse. Ne jemi shumë të lidhur, si një familje dhe shpresoj që të na ecë mirë, të vazhdojmë kështu dhe besoj do i arrijmë objektivat tanë. Diferenca nuk është shumë e madhe, ne duhet çdo ndeshje ta vlerësojmë maksimalisht”.
SKUADRA MË E MIRË – “Më ka pëlqyer shumë se si ka luajtur Laçi përpara 2 ndeshjeve të fundit, por edhe Teuta është një ekip i mirë”.
KOMBËTARJA – “Është vendim i trajnerit Reja, edhe sulmuesit e tjerë kanë bërë gola dhe kjo mendoj ka qenë arsyeja që nuk jam grumbulluar, nuk besoj se ka ndikuar ardhja në kampionatin shqiptar tek mungesa në listën e përfaqësueses. Për mua ka rëndësi që kombëtarja të bëj paraqitje dinjitoze, unë kam qenë, jam dhe gjithmonë do të jem gati për skuadrën përfaqësuese”.
E ARDHMJA – “Të them të drejtën kur isha në Zvicër nuk e kam ndjekur kampionatin shqiptar dhe nuk kam patur një mendim pozitiv për ligën shqiptare, por tani që luaj këtu mund të them që është një kampionat shumë i fortë, është agresiv dhe më pëlqen shumë.
Unë kam edhe një vit kontratë me Young Boys dhe nuk e di se çfarë do të ndodhë në verë. Më pëlqen shumë Tirana, nuk ia mbyll aspak derën një qëndrimi këtu, pasi çdo gjë është e hapur”, u shpreh Seferi. /abcnews.al