Superliga shqiptare është ende larg nivelit të sezonit të kaluar. Skënderbeu i vjetshëm kampion nuk ekziston më, ndërsa ekipet e tjerë kërkojnë kohë për t’u forcuar.
Mos prisni të shihni këtë nivel. Do të duhet shumë kohë për ta arritur, madje edhe kjo varet nga një vendim në Zvicër, që nuk është në vullnetin e klubeve shqiptarë. Skënderbeu i madh i së kaluarës ndoshta do të mbetet një kujtim, ndërsa ai që po luan këtë sezon, thjesht po përpiqet të mos jetë karrikatura e tij.
Kjo, jo për faj të trajnerit Orges Shehi, një rishtar në rol, as të disa prej titullarëve të mbetur, por për shkak se kampionët e shumtë që ishin deri vjet me ish-trajnerin Daja, tashmë janë larguar. Nga ky Skënderbe mund të priten kulme si ai i Vlorës, ku fitoi me autoritet të madh ndaj Flamurtarit, apo rrëshqitje siç ndodhi më parë me Laçin e pastaj me Tiranën, të dy herët në Korçë. Trajneri është i shqetësuar.
Orges Shehi, trajner i Skënderbeut: “Ndjemë shumë presion sepse pas asaj fitoreje që patëm në transfertë u kërkonte me doemos fitorja. Nuk e kuptoj pse u kërkonte me aq doemos kur gjatë gjithë javës kemi punuar të qetë. Nuk janë mënyra të lojës këto.”
Kur ai ekip që quhet “lokomotiva”, nuk arrin të tërheqë, çfarë mund të thuhet për të tjerët? A mund të pritet më shumë nga Tirana që, edhe pse 24 herë kampione, kohët e arta i ka larg dhe vjet luajti në Kategorinë e Parë. Se çfarë mentaliteti kanë sot kryeqytetasit, e thotë saktë trajneri Ze Maria.
Ze Maria, trajner i Tiranës: “Ne humbëm dy pikë në këtë ndeshje për shkak se patëm frikë. Në pjesën e dytë, sidomos, ne nuk luajtëm futboll, dhe u përdorëm vetëm topat e gjatë, jo sipas filozofisë sonë, me pasime të shkurtëra dhe veprime të shpejta. Ne humbëm dy pikë për shkak të gabimeve tona”.
Pak ditë më parë, trajneri i njohur shqiptar, Hysen Dedja, dha këtë gjykim për Superligën.
Hysen Dedja, trajner futbolli: “Nuk ka një nivel lojë të mirë që dhe kemi problem dhe do ta kemi problem, e kemi parë dhe vitet e fundit përafrimin e spektatorit në stadium.”
Shpresa mbetet tek ekipe si Kukësi apo Partizani, që duket se kanë më shumë stol, por edhe për ta duhet pritur, siç pohon trajneri i të kuqve, Gega.
Skënder Gega, trajner i Partizanit: “Besoj se Partizani po konsolidohet, qoftë në logjikë qoftë në koncept, qoftë në njohje me njëri-tjetrin. Është vetëm java e katërt, shumë njerëz thonë që nga java e shtatë duhet të shihen ekipet.”/abcnews.al