Adili: Partizan, kemi mbrojtjen më të mirë! Kupa? T’i tregojmë Duros se ka të drejtë

schedule19:28 - 2 Prill, 2021

schedule 19:28 - 2 Prill, 2021

Vllaznia pret nesër Partizanin, në një ndeshje që nis prej orës 16:00 në stadiumin “Loro Boriçi”. Para mediave ditën e sotme ka dalë mbrojtësi Mevlan Adili, i cili e vlerëson skuadrën e drejtuar nga Ilir Daja. “E dimë se Partizani është ndër ekipet më të mira, është ekip me lojtarë shumë të mirë, kanë karakter, por ne duhet të fokusohemi në lojën tonë dhe të marrim pikë”, tha Adili, i cili më pas paralajmëron rivalët.

“Ata kanë sulmin më të mirë, por mos harroni se ne kemi mbrojtjen më të mirë. Në repartin e mbrojtjes ka pasur ndryshime, por janë të mirëseardhura. Lojtarët kanë treguar veten dhe nuk kemi pasur probleme. Në repartet e tjera na kanë ndikuar mungesat.

Kjo është një sfidë e rëndësishme ndaj një rivali direkt. Ne luajmë edhe për dy rezultate. Barazimi vlen 3 pikë për ne në këtë ndeshje, ndërsa fitorja ndaj Partizanit vlen 6 pikë”, shton mbrojtësi shqiptar nga Maqedonia e Veriut.

Më tej ai thekson se dueli me Partizanin është vendimtar dhe thekson se janë sërish ata të parët. “Nuk është vendimtare nesër, janë edhe 10 sfida dhe çdo skuadër ka treguar se mund këdo. Nuk mendoj se Vllaznia kishte momente të këqija, sepse kur nuk fitonim sërish nuk humbnim.

Nuk fituam për 7 ndeshje, por jemi sërish ne të parët. Të gjitha skuadrat thonë se do mbërrijmë Vllazninë, por jo ta kalojmë”, shprehet qendërmbrojtësi. Adili në fund është pyetur edhe në lidhje me duelin e Kupës së Shqipërisë.

“Nuk kishim dëshira për kundërshtarët. Objektivi është finalja dhe ngritja e Kupës do ishte gjë e mirë. Më pëlqeu fakti se trajneri i Laçit tha se jemi për trofe dhe t’i tregojmë se nuk e kishte gabim. Nesër me Partizanin nuk na duhet humbja, janë në lojë dy rezultate”, përfundoi Adili. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!