Ditën e djeshme bëri bujë lajmi se gjithë përfaqësuesit e kombëtares në Euro 2016 janë të detyruar të kthejnë pasaportat diplomatike më datë 31 qershor, pesë vite para kohës kur parashikoheshin të skadonin. Ky lajm ka irrituar lojtarët dhe stafin e atëhershëm, mes tyre edhe ish-trajneri Gianni De Biasi.
Trajneri i Azerbajxhanit ka folur për Panorama Sport për këtë çështje. Ai tregon se nuk ka marrë asnjë njoftim zyrtar në lidhje me këtë çështje dhe është informuar nga mediet. De Biasi e quan të papranueshme këtë vendim të qeverisë dhe ironizon kur hamendëson se tashmë duhet të dorëzojë edhe titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”, të dhënë nga presidenti.
“Jo, nuk e di. Më duket e çuditshme. Absurde madje. Pasaporta ime diplomatike skadon në vitin 2026, pse duhet ta dorëzoj 5 vite më parë? Nuk shoh asnjë motiv për ta bërë këtë. Më habit kjo gjë. Së pari duhet të saktësoj se unë nuk kam marrë asnjë njoftim zyrtar. Thjesht jam informuar nga mediat. Nëse do të ndodhte vërtet kështu, pa dyshim që ndiej keqardhje dhe jam i surprizuar me një vendim të tillë.
Shikoni, dhënia e atij dokumenti (pasaporta diplomatike) është një shenjë mirënjohjeje apo vlerësim i shtetit kundrejt shtetasve të tij. Unë nuk kam bërë asnjë shkelje, as nuk ia kam njollosur kurrë imazhin e Shqipërisë diku, përkundrazi mendoj se kam punuar mirë për sa kohë isha aty dhe kam folur vetëm mirë për Shqipërinë sa herë që më është dhënë rasti.
Kam vepruar kështu sepse këtë kam ndierë vetëm dashuri, respekt dhe mirënjohje nga Shqipëria dhe shqiptarët. Por, nëse tani më kërkojnë që ta kthej mbrapsht atë dokument, natyrisht që më lë një shije të hidhur. Nuk gjej motiv. Pse duhet ta kthej mbrapsht pasaportën diplomatike kur ajo skadon pas 5 vitesh? Më duket pa kuptim…
Do të kërkoj shpjegime patjetër. Është një gjë që më bezdis shumë, sepse e konsideroj si një mirënjohje atë veprim dhe tani befas ma kërkojnë mbrapsht. Unë nuk i kam bërë asnjë dëm dhe asnjë të keqe Shqipërisë pasi mbarova kontratën e punës aty. Atëherë i bie që duhet të kthej mbrapsht edhe titullin. “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut” që më është dhënë nga Presidenti i Republikës asokohe? Më thoni pak, a ka kuptim kjo”, u shpreh De Biasi. /abcnews.al