Prokuroria për Krimet e Rënda ka caktuar grupin e prokurorëve që do ta përfaqësojnë në gjyqin ndaj Emiliano Shullazit dhe katër të bashkëpandehurve të tij. Por urdhri i kryeprokurores së përkohshme, Arta Marku, për procedim disiplinor të 10 prokurorëve, që refuzuan shortin për çështjen dhe transferimin e tre prej tyre, ka shkaktuar një situatë të paprecedentë tensioni tek Krimet, ku është thirrur dhe ndihma e policisë.
Dosja “Shullazi” ka “ndezur” një situatë kaotike tek Krimet e Rënda, ku është nevojitur edhe ndihma e policisë. Tensioni ka kulmuar pasditen e së enjtes, pas dy urdhrave të njëpasnjëshëm të Prokurores së Përgjithshme të Përkohshme Arta Marku, për nisjen e procedimit disiplinor për 10 prokurorë të Krimeve dhe transferimin në rrethe për tre prej tyre. Sipas burimeve, pas këtij urdhri disa nga prokurorët i janë drejtuar zyrës së titullares së Krimeve të Rënda, Donika Prela, ku kanë kërkuar shpjegime.
Sipas burimeve, drejtuesja u ka kërkuar të lënë zyrën dhe duke hasur në kundështinë e tyre ka kërkuar ndihmën e policisë. Mësohet se për këtë shkak, përveç disa efektivëve në godinën e Krimeve të Rënda ka mbërritur edhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu.
Ndërkohë bëhet e ditur se është caktuar grupi i prokurorëve që do të përfaqësojnë organin e akuzës në gjykimin ndaj Shullazit dhe miqve të tij. Sipas burimeve jozyrtare, grupi i prokurorëve do të kryesohet nga drejtueja e Krimeve, Donika Prela, ndësa në përbërje të tij do të jetë edhe prokurori Gentian Osmani. Ende nuk janë bërë të ditur emrat e dy prokurorëve të tjerë.
Ndërkohë të premten u mësua edhe dorëheqja e prokurorit Sokol Stojani, nga drejtimi i Drejtorisë së Inspektimit dhe Ndihmës për Subjektet e Posaçme në Prokurorinë e Përgjithshme. U bë e ditur se urdhri i lirimit për të është firmosur nga Marku në 19 shtator, para se 10 kolegë të tij tek Krimet e Rënda të procedoheshin disiplinarisht.
Dosja “Shullazi” u kthye në “mollë sherri” tek Krimet, teksa prej disa seancash pritet të lexohet pretence dhe çështja mbeti pa prokurorë. Kjo situatë u krijua pas emërimit të prokurores së mëparshme, Elisabeta Imeraj në krye të Prokurorisë së Tiranës dhe largimit jashtë vendi për arsye shëndetësore të prokurorit, Ened Nakuci.
Të mërkurën disa prokurorë braktisën shortin e organizuar për çështjen, duke e konsideruar të paligjshëm. Të enjten 10 prokurorët e “rebeluar” u proceduan disiplinarisht, ndërsa tre të tjerë u transferuan në rrethe. /abcnews.al