Gjykata e Shkodrës ka shtyrë seancën për njohjen me masën e sigurisë për të arrestuarit e skandalit të ilaçeve. Pala mbrojtëse kërkoi kohë nga Gjykata dhe prokuroria për t’u njohur me akuzat.
Ky vendim unanim u mirëprit nga palët dhe seanca u la për të shtunën në mëngjes në orën 9.00. Të arrestuar janë mjekët Përparim Çela e Luan Dragusha dhe infermierin Renato Kepi.
Kurse në arrest shtëpie janë punonjësit Amanda Matlija, Juliana Zhuri e Albana Mehmetaj dhe farmacistja Karmen Kaculi. Kurse shpallur në kërkim mjekët Edi Smajli dhe Dhurata Uruçi.
Të gjithë akuzohen për shpërdorim detyre, pasi kanë porositur e prokuruar pas miratimit të Ministrisë së Shëndetësisë, ilace dhe materiale mjekësore për kabinetin e hemodinamikës, në një sasi jashtë çdo kriteri, apo kapaciteti të spitalit rajonal të Shkodrës.
Vlera e materialeve të porositura për vitin 2016-2017 shkon në shifrën mbi 570 milionë lekë. Një ditë më pas kolegët e tyre dolën në mbrojtje dhe i kërkuan prokurorisë të rishikojë akuzat./abcnews.al