Bledi Çuçi është i treti në listën e PS-së në qarkun e Gjirokastrës, por edhe pse është ministër i Brendshëm dhe duhet të japë shembullin për zbatimin e ligjit, e ka thyer. Njeriu i “memeve” Gent Sejko e ka kapur “mat” me posterat që ka shpërndarë në qarkun ku kandidon.
Kodi Zgjedhor saktëson se posterat lejohen të vendosen vetëm 5 metra larg zyrës elektorale të kandidatit. Por posteri i Çuçit është vendosur te Kalaja e Ali Pashë Tepelenës.
Genc Sejko me ironi ka postuar fotot në Facebook, ndërsa ngre pyetjen “Çuçi po kandidon për deputet apo për perandor?”.
Çfarë thotë Kodi Zgjedhor
Në pikën 2 të nenit 79 të Kodit Zgjedhor thuhet konkretisht se çdo material i përdorur për propagandë zgjedhore duhet të jetë i vendosur jo më larg se 5 metra nga zyra zgjedhore e partisë politike.
“Gjatë fushatës zgjedhore përdorimi dhe afishimi i çdo materiali tjetër statik për propagandë zgjedhore, përfshirë flamujt dhe posterat, lejohet vetëm në një largësi prej deri 5 metrash nga zyra zgjedhore e partisë politike apo subjektit zgjedhor përkatës”, thuhet në pikën 2.
Ndërkohë në pikën 5, përcaktohet edhe institucioni që duhet të garantojë zbatimin e përcaktimeve të bëra në këtë nen, që në këtë rast janë policia bashkiake si dhe ajo e shtetit.
“Policia Bashkiake dhe/ose Policia e Shtetit garantojnë zbatimin e përcaktimeve të bëra në këtë nen duke hequr menjëherë çdo material propagandues të subjekteve zgjedhore në vendet jashtë përcaktimeve të bëra në pikat 1 dhe 2 të këtij neni”./ db/ Abcnews.al