Mërgim Vojvoda, mbrojtësi i Torinos, ishte pozicionuar në qendër të prapavijës sot, sikurse edhe kundër Lituanisë. Sigurisht për të nuk ishte aspak e lehtë, ashtu sikurse edhe për portierin Samir Ujkani, i cili nuk u kursye dhe akuzoi arbitrin e ndeshjes me Suedinë, pasi te goli i parë pretendohet për një rivënie anësore për dardanët dhe nga aty lindi aksioni i golit.
VOJVODA – “Normal humbjet merren afër zemrës, sidomos me Kosovën që e japim shpirtin në fushë. Çdo humbje dhemb, sidomos në shtëpi. Nuk kemi qenë në nivel sot. Nuk është pozicioni im natyra në qendër, por nuk është koha të flasim për këtë pjesë. Kur të fut trajneri aty duhet të luash. Jam munduar të jap maksimumin, të gjithë e dinë që nuk është pozicioni im. Unë do jap më të mirën sa herë të futem në fushë.
Është nivel i lartë të luash kundër Suedisë. Nuk të lejohen gabime, kanë lojtarë kualitativë. Në pjesën e dytë ata e menaxhuan lojën, nuk krijuam dot raste në zonën e tyre. E kemi ditur që grupi nuk është i lehtë. Ta harrojmë këtë ndeshje dhe të tregojmë fytyrë tjetër ndaj Spanjës. Le të shëkojmë për fitore, e pamë sot kundër Gjeorgjisë”.
UJKANI – “Humbëm në mënyrë të çuditshme, pësuam gola pa lidhje. Arbitra ishte skandal, të flasim realitetin. Nuk ishte nata jonë, mund të bënim ë shumë në çdo aspekt. DSuhet të shohim përpara, kemi ndeshjen me Spanjën.
Dalja e gabuar? Nuk kam qejf të flas për arbitrat, por duhet të na respektojnë ne, Kosovën. Gabova te devijimi dhe e pësuam, por nuk ishte kjo arsyeja që humbëm. Patëm raste, nuk donte të hynte goli. Penalltia na këputi këmbët pastaj. Ndaj Spanjës shkojmë të japim maksimumin dhe të tentojmë të marrim ndonjë pikë”./abcnews.al