Pas 27 vitesh gjenocidi në Ruandë vijon të jetë një plagë e hapur. Një komision historik i përbërë nga presidenti Emanuel Macron i cili ka shpenzuar rreth dy vjet duke hetuar për rolin e Francës, doli në përfundimin se Parisi ka përgjegjësi të rënda dhe të pakundërshtueshme
Franca ka reaguar shumë ngadalë për të pranuar përmasat e asaj tragjedie që shkaktoi vdekjen e 800 mijë personave. Gjithsesi, komisioni francez qartësoi se vendi nuk ka qenë bashkëpunëtor në masakrën që kishte si objektiv kryesisht minoritetin etnik.
Në raport lexohet se Franca qëndroi e verbër gjatë përgatitjes së një genocidi nga ana e elementeve më radikale të këtij regjimi. Dhe pse nuk doli në pah vullneti për të marrë pjesë në një operacion gjenocidi. Macron urdhëroi krijimin e komisionit në maj të 2019-ës për të analizuar rolin e administratës së Fransua Miteran në gjakderdhjen ruandeze. Tashmë shoqatat e viktimave janë në qendër të vëmendjes.
Ato pretendojnë se Franca nuk arriti të kuptojë se qëndrimi që mbante vetëm lehtësonte thellimin e krizës etnike në Ruandë dhe u bë palë me regjimin racist të atëhershëm.
Masakra në Ruandë ishte një gjenocid masiv i minoritetit etnik tutsi nga ana e anëtarëve të qeverisë hutu. Vlerësohet se rreth 1 milion ruandezë janë vrarë mes 7 prillit deri në mes të muajit korrik 1994, dhe rreth 70 për qind e popullsisë tutsi është masakruar.
Gjenocidi nisi pas vrasjes së presidentit të vendit dhe përfundoi kur fondi patriotik ruandez, i mbështetur nga tutsit dhe i drejtuar nga presidenti Kagame, mori kontrollin e vendit.
Nuk është e qartë se deri në çfarë pike do të rregullohen marrëdhëniet mes Francës dhe Ruandës, por hetimi është i rëndësishëm për të zbardhur atë që ka ndodhur./abcnews.al

