SHBA, më shumë të rinj me ankth nga pandemia

schedule20:58 - 26 Mars, 2021

schedule 20:58 - 26 Mars, 2021

Një numër më i madh të rinjsh në Shtetet e Bashkuara thonë se ndihen në gjendje ankthi ose depresioni gjatë gjashtë muajve të fundit të pandemisë, ndërkohë që më pak njerëz se më parë thonë se morën ndihmën e nevojshme, sipas një studimi të qeverisë amerikane të publikuar të premten.

Përqindja e të rriturve nën moshën 30 vjeç me simptoma ankthi ose çrregullimi depresiv u rrit ndjeshëm rreth pesë muaj pasi SHBA vendosën bllokime për koronavirusin. Është rritur edhe numri i vdekjeve mes tyre si pasojë e përhapjes së shpejtë të virusit.

Midis gushtit 2020 dhe shkurtit 2021, ky numër u rrit nga 36.4% në 41.5%. Në të njëjtën shkallë u rrit edhe numri i njerëzve që thanë se kishin patur nevojë, por nuk kishin marrë shërbim këshillues për shëndetin mendor.

Nga studimi del se rritja e simptomave të ankthit ose çrregullimit depresiv të raportuara korrespondon me numrin javor të rasteve me COVID-19.

Gjetjet bazohen në një sondazh të kryer nga Qendrat Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) dhe Zyra e Regjistrimit të Popullatës, për të vëzhguar ndryshimet në statusin e shëndetit mendor dhe qasjen në kujdesin shëndetësor gjatë pandemisë.

Nga studimi del gjithashtu se personat me nivel edukimi më pak se shkolla e mesme janë më të rrezikuar, megjithëse nuk jepen arsyet.

Edhe pse numri i vaksinave që kanë marrë çertifikimin është shtuar duke filluar nga fundi i vitit 2020, efektet e pandemisë në shëndetin mendor kanë vazhduar edhe këtë vit.

Gjatë periudhës 20 janar 2021 deri më 1 shkurt 2021, rreth dy në pesë të rritur të moshës mbi 18 vjeç kanë përjetuar simptoma të ankthit ose të një çrregullimi depresiv, sipas studimit./VOA

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!