Foto/I mituri vajton pranë trupit të të atit

schedule22:11 - 18 Shtator, 2018

schedule 22:11 - 18 Shtator, 2018

Fotoja e një të mituri që vajton pranë trupit të pajetë të të atit, ka ngritur në këmbë një vend të tërë. E postuar në Twitter, fotoja është ndarë mijëra herë nga përdoruesit e rrjetit social në Indi, të cilët kanë mbledhur edhe një shumë parash, për t’i ardhur në ndihmë familjes së të ndjerit.

Fotografia e një djali që vajton pranë trupit të pajetë të të atit ka prekur zemrat e përdoruesve të rrjeteve sociale në Indi, të cilët brenda ditës kanë mbledhur rreth 44 mijë dollarë për t’i ardhur në ndihmë familjes së tij. Fotografia u postua në Twitter nga një gazetar dhe në pak orë u shpërnda më shumë se 7 mijë herë. Viktima është një 27-vjeçar që punonte për pastrimin e kanaleve të ujërave të zeza në kryeqytetin Nju Delhi. Shiv Sani, reporteri që postoi i pari foton, ka deklaruar për BBC se është tronditur kur ka parë vogëlushin 11-vjeçar pranë trupit të të atit, që humbi jetën në një incident. “Doja të ndërgjegjësoja njerëzit për kushtet e rënda në të cilat punojnë punëtorët e kanaleve të ujërave të zeza dhe për jetën e vështirë të familjeve të tyre”, ka deklaruar Sani.

Ai ka shtuar se gjatë punës si gazetar i kronikës së zezë ka parë shumë tragjedi, por kjo ishte diçka me të vërtetë e veçantë. Fotografia është realizuar pak para se viktima të kremtohej, një shërbim që familja e tij nuk mund ta përballonte dhe për të cilin u ndihmua nga fqinjët. Një javë më parë, 27-vjeçari i identifikuar vetëm me emrin Anil kishte humbur djalin 4-muajsh për shkak të një pneumonie, pasi nuk kishte paratë për të blerë mjekimet. Rreth 100 punonjës që kujdesen për mirëmbajtjen e kanaleve të ujërave të zeza humbin jetën çdo vit në Indi. Disa herë sindikatat kanë ngritur zërin për shkak se u mungojnë pajisjet e duhura të sigurisë./abcnews.al