Rama: Brenda 48 orësh nisim “imunizimin” masiv, pse nuk i sollëm vaksinat me avionin ushtarak

schedule19:50 - 25 Mars, 2021

schedule 19:50 - 25 Mars, 2021

Kryeministri Edi Rama deklaroi se brenda 48 orësh në vend do të nisë vaksinimi masiv. Rama u shpreh se mandati i tretë i socialistëve ka në planin e veprimit katër aeroporte. Ai shtoi se pjesë e ndryshimeve do të jetë edhe aeroporti i Rinasit. Në këtë pikë Rama u shpreh se ditën e sotme vaksinat u sollën me Air Albania për shkak se avioni ushtarak turk nuk ulej dot aty. Ai u ndal edhe në projektet e porteve të Durrësit, Vlorës dhe Sarandës.

“Mandati i tretë ka në planin e veprimit katër aeroporte. Njëri është në përfundim brenda pak ditësh. Me gjithë ato që mësuam nga puna për të filluar punë për të dytin do e kemi më të lehtë për të tretin se është më i vogël. Ndërsa i pari do bëhet aeroporti që ëndërrojnë të gjithë shqiptarët.

Ne i sollëm vaksinat me Air Albania se avioni ushtarak turk nuk mund të ulet dot në pistën e Rinasit. Investimet në infrastrukturë të atij aeroporti do të vijnë aty ku duhet. Kush do i bëjë këto, Kush tjetër, përveç nesh. Si mund të bëhen ndryshe përveçse me mandatin e tretë. Porti i Sarandës ka nisur nga puna. Porti i Durrësit ka marrë miratimin për masterplanin për fazën e parë.

Porti i Vlorës është në linjën e nisjes. Mjafton të vësh në peshore palët për të parë se kush i bën këto punë. Pavarësisht se ne nuk jemi të përsosur dhe punët tona nuk janë pa të meta. Mandati i tretë do realizojë objektivin tonë për të pasur 10 milionë turistë në Shqipëri. Ky është objektivi ynë i ndërprerë nga pandemia. Sot me fillimin e vaksinimit masiv brenda 48 orësh kemi garantuar që këtë sezon Shqipëria të jetë më e lehtësuar”, u shpreh Rama./mv.abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!