Filmin “Iuventa” me regji të italian Michele Cinque çeli edicionin e 13-të të festivalit ndërkombëtar për të drejtat e njeriut në Tiranë. Regjisori i pranishëm në ceremoni tha se në 2016-n pjestarët e kësaj anije që shpëtonin refugjatët afrikanë konsideroheshin heronj, ndërsa sot ata po përballen me akuza të shumta në Itali.
Me tingujt e bandës frymore, kineastë, artistë, politikanë dhe përfaqësues të trupit diplomatik në Tiranë janë bërë bashkë në çelje të edicionit të 13-të të festivalit ndërkombëtar të të drejtave të njeriut.
Gjithçka nis me projektimin e filmit të regjisorit italian “Iuventa”. Në qendër të këtij filmi janë një grup të rinjsh gjermanë, të cilët krijojnë një OJF, mbledhin të ardhura dhe dalin në det të hapur me anijen “Iuvinta” për të shpetur emigrantët afrikanë, të cilët synojnë të hynë në Europë përmes detit Mesdhe.
Regjisori para të pranishmëve u prezantua sëbashku me producentin me një komardare shpëtimi në dorë, si simbolikë që mbarte vetë filmi. Ai tha se ndihet i prekur që i është besuar atij çelja e ketij festivali të rëndësishëm që ka në fokus të drejtat e njeriut e mbi të gjitha të vertetën dhe kërcënimin e saj.
Organizatori i këtij festivali, Kujtim Çashku e vë theksin te sensibilizimi i shoqërise shqiptare ndaj të drejtave të njeriut me gjuhën e artit.
43 filma të përzgjedhur nga 4300 do të projektohen në 7 pika kryesore dhe mbi të gjitha do të shoqërohen deri më datë 22 me debate dhe diskutime mbi kërcënimin e të vërtetës./abcnews.al