Partia Socialiste ka ankimuar në Kolegjin Zgjedhor vendimin e Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve për listën e kandidatëve të Partisë Demokratike në zgjedhjet e 25 prillit. Partia Socialiste kërkon që të hiqen 78 kandidatët që PD ka në listën e saj, më shumë se partitë e tjera.
Kështu, PS kërkon që rikthehet vendimi që KQZ mori më 17 mars, për reduktimin e numrit të kandidatëve të listës së Partisë Demokratike.
Kujtojmë se Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve rrëzoi ditën e djeshme vendimin e KQZ-së për reduktimin e listës për kandidatë të Partisë Demokratike. Bazuar në analizën e fakteve dhe provave të administruara, me shumicë votash, KAS vendosi që të pranohet kërkesa ankimore e PD-së lidhur me vendimin e marrë nga kryekomisioneri Ilirjan Celibashi.
Partia Demokratike iu drejtua KAS më herët për të ankimuar vendimin e kreut të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi për të mos regjistruar 78 emrat shtesë në listën e kandidatëve për deputetë.
KQZ i ktheu koalicionit opozitar listat paraprake duke deklaruar se kanë kaluar numrin e kandidatëve të lejuar në disa qarqe. PD ri-korrigjoi listat duke i dërguar më pas sërish në KQZ. sb/abcnews.al/