“I trembemi ashpërsisë së tij”, “demi” Dominguez: Ju tregoj vështirësitë e Shqipërisë

schedule19:10 - 24 Mars, 2021

schedule 19:10 - 24 Mars, 2021

Roberto Dominguez është një prej lojtarëve të afruar nga Partizani në merkaton e janarit. Qendërmbrojtësi për herë të fundit ishte aktivizuar me skuadrën e Bolivar në Bolivi dhe tashmë po pret debutimin me “demat e kuq”.

Në prag të duelit me Teutën, trajneri Daja i pyetur në lidhje me Dominguez tha: “Dominguez nuk është se nuk ka formën e duhur, por vjen nga një futboll tjetër, me një ashpërsi më të madhe se futbolli ynë. Duke qenë se është qendërmbrojtës, kemi frikën për gabime të mundshme derisa të përshtatet me futbollin tonë”.

Dominguez tani ndodhet në El Salvador, pasi është grumbulluar nga kombëtarja e vendit të tij. Në prag të ndeshjeve kualifikuese të Botërorit “Katar 2022”, mbrojtësi është pyetur edhe për atë që po ndodh me të në Shqipëri.

“Deri më tani kalimi në futbollin shqiptar ka qenë pak i vështirë. Ka shumë gjëra që kanë qenë të komplikuara për mua dhe njëra prej tyre është gjuha. Po përpiqem të mësoj, veçanërisht anglishten që ata e flasin. Nuk kam mundur të debutoj dot dhe jam duke pritur rastin tim”, ka deklaruar Dominguez për “Diario El Salvador”. / abcnews.al