Nga Esiona Konomi
Partitë politike do të çelin fushatën elektorale nesër.
30 ditë përpara zgjedhjeve, PS dhe PD do të nisin numërimin mbrapsht duke shkuar drejt 25 prillit: Edi Rama në kërkim të mandatit të tretë, ndërsa Lulzim Basha në kërkim të uljes së parë në karrigen kryeministrore.
Pandemia nuk do të lejojë që partitë të masin forcat me pjesëmarrjen e militantëve, duke shmangur garën e mbushjes së shesheve.
Si Partia Socialiste, ashtu edhe ajo Demokratike kanë thirrur në Tiranë, vetëm kandidatët për deputetë.
Gjithsesi, sheshi, do të jetë skena edhe e Edi Ramës, edhe e Lulzim Bashës.
Vetëm se për herë të parë, ata do të shkëmbejnë vendet. Sheshi Skënderbej ku tradicionalisht ka qenë pika fillore dhe fundore e demokratëve, të enjtem do të jetë e socialistëve.
Ndërsa PD do të mbajë takim në sheshin Nënë Tereza, që ka qenë historikisht territori i preferuar i selisë rozë.
Një koordinim duket edhe për oraret. Demokratët dhe socialistët do ta ngrenë siparin në orën 5 pasdite. Elementët e spektaklit grafik, ndriçimit dhe skenografitë do të mundohen që bashkë me fjalimet e dy kandidatëve për kryeministër, të mbushin zbrazëtinë e shesheve që në ditë të tilla pa virus, ishin mësuar të mbanin mijëra militantë që masin forcat mes tyre.
Ndërkohë LSI mësohet të mos ketë asnjë aktivitet të veçantë hapës, por do të vazhdojnë agjendën e tyre në Divjakë./abcnews.al