Ambasadorja e SHBA në Shqipëri Yuri Kim ka deklaruar nga Shkodra në një intervistë ekskluzive për gazetaren e ABC Esiona Konomi, se dhuna para zgjedhjeve është përgjegjësi e liderëve të partive politike. Ajo u shpreh se ata kanë një përgjegjësi të veçantë në fjalët dhe veprimet e tyre jo vetëm duke e dënuar dhunën por edhe ta parandalojnë atë.
“Mendoj se është shumë e dukshme që dhuna në politikë është e papranueshme. E di që dhuna politike ka qenë pjesë e historisë së Shqipërisë, por kjo është në të shkuarën. Tani mendoj që është një Shqipëri ndryshe.
Mendoj që drejtuesit kanë një përgjegjësi të vecantë në fjalët dhe në veprimet e tyre. Jo vetëm që ta dënojnë dhunën, por edhe që ta parandalojnë atë. Kështu që udhëheqësit nuk duhet të shkojnë që të mund të nxisin që njerëzit të mund të marrin armët, apo të mund të përfshihen në vepra të dhunshme. Është përgjegjësi e tyre”, u shpreh Kim.
Kim e cilësoi rikthimin në Shkodër si një vizitë të lënë në mes në muajin Tetor, por si një mesazh para zgjedhjeve.
“Është një kënaqësi e madhe. Para së gjithash, Shkodra është një nga vendet e mia të preferuara në Shqipëri. Ju mund ta dini se kam qenë këtu, tetorin e vitit të kaluar dhe kam ndjerë që nuk kam kaluar kohë mjaftueshëm. Për këtë arsye jam rikthyer.
Dhe sigurisht, tani jemi një muaj përpara zgjedhjeve kombëtare të rëndësishme në Shqipëri. Kështu që mendova se ishte një kohë e mirë për të ardhur e për të parë personalisht se çfarë është duke ndodhur, se cfarë mendojnë njerëzit. Si dhe që ta bëj shumë të qartë se cili është mesazhi i shteteve të bashkuara. Sikundërse jeni në dijeni, unë kam qenë javën e kaluar në Elbasan, dhe këtë javë kam ardhur në Shkodër”, deklaroi Kim./mv.abcnews.al