Gjykata e Lushnjes ka pezulluar nga puna 16 mësues të shkollës së Çermës. Ata akuzohen për regjistrim fiktiv të nxënësve për të ruajtur vendin e punës.
Lushnja e nisi këtë vit mësimor me pezullimin nga puna të 16 mësuesve të shkollës së Çermës. Sipas vendimit nr.119 të gjykatës së rrethit të dt.13 shtator 2018, atyre u është komunikuar pezullimi nga detyra për veprën penale të shpërdorimit të detyrës. Sipas prokurorisë, në vitin 2013 e në vazhdim këta mësues në shkollën 9-vjeçare, Çerme e Sipërme kanë regjistruar nxënës fiktivë për të ruajtur vendin e punës. Të premten mesuesve u është thëne nga Drejtoria e Zyres Arsimore se u është ndërprerë vazhdimi i punës në shkollë dhe se janë zëvendësuar nga mësues të tjerë.
Çështja vazhdon të jetë në hetim nga prokuroria pasi që nga viti 2013 e deri në 2017 këta mësues kishin regjistruar rreth 120 nxënës fiktivë, për të mbajtur vendin e punës. Aktualisht 1336 mësues numërohen të jenë në punë nga zyra arsimore, ndërkohë që një vit më parë numri i mësuesve ishte 1720. Njëkohësisht kanë mbetur pa punë edhe mësuesit e klasave kolektike, 31 prej të cilave u mbyllën.
Ata janë paraqitur, por shkollat nuk kane nxënës dhe për këta mësues nuk janë nënshkruar kontratat e punës për vitin 2018-2019./abcnews.al