480 mijë nxënës të arsimit parauniversitar në vend nisën sot vitin e ri shkollor. Klasat dhe laboratorët hapën dyert për një tjeter vit sfidash e betejash në rrugën e dijes. Më të emocionuarit në këtë ditë ishin sigurisht vogëlushët e klasave të para.
Ata që u nisën në këmbë duket se mbërritën më shpejt. Automjeteve iu desh të prisnin gjatë në radhë.
Kështu nisi e hëna e 17 shtatorit në Tiranë.
Shkollat 9-vjeçare dhe të mesme kanë hapur dyert për nxënësit dhe mësuesit, ndërsa shumë prindër zgjodhën t’i shoqëronin vetë fëmijët në ditën e parë të këtij viti shkollor.
Kjo solli trafik të rënduar në shumë rrugë të kryeqytetit. Të lehtësonte lëvizjen e automjeteve e pati të vështire edhe policia.
Beteja në rrugën e dijes nisi për 480 mijë nxënës të sistemit parauniversitar, por emocionet më të forta i kishin nxënësit e klasës së parë.
32 mijë fëmijë u ulën për herë të parë në bankat e shkolles këtë vit. Këta bashkë me nxënësit deri në klasë të katërt e ata që i përkasin kategorive të veçanta sociale deri në klasë të nëntë ndryshe nga vitet e shkuara janë pajisur me tekste falas, por shumë prej tyre njësoj si dhe më parë mësimin do të vijojnë ta ndjekin në dy turne./abcnews.al