Basha boton librin “Misioni Im”, letër e hapur drejtuar shqiptarëve në prag të zgjedhjeve

schedule10:18 - 22 Mars, 2021

schedule 10:18 - 22 Mars, 2021

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka botuar një libër ndërsa vendi ndodhet në prag zgjedhjesh. Libri i kryedemokratit mban titullin “Misioni Im” dhe si duket nëpërmjet këtij mediumi, Basha u bën një ftesë publike shqiptarëve që të votojnë kandidaturën e tij për kryeministër.

Në këtë libër, Basha rrëfen në vetën e parë të gjitha ngjarjet gjatë karrierës së tij politike, si i ka përjetuar që nga viti 1992, dhe betejën opozitare të viteve të fundit.

Mësohet se kryedemokrati do ta prezantojë librin sot, më 22 mars, datë që shënon edhe fitoren e parë të Partisë Demokratike. Ne fund të librit ka një ftesë për të gjithë shqiptarët, për zgjedhjet e 25 prillit. Basha ka refuzuar që ta konsiderojë veten shkrimtar, por ne fund, e cilëson “Misioni im” si një letër të hapur drejtuar shqiptarëve, 1 muaj përpara zgjedhjeve.

Po ashtu, në letrën e hapur të Bashës trajtohet çështja kombëtare dhe marrëdhëniet me Kosovën.

“Lidhjet e tij familjare e personale me Kosovën, i japin këtij traktati një frymë kombëtare dhe shpjegojnë idetë e tij se si duhet t’i qasemi çështjes kombëtare, jashtë nacionalizmit të zbrazur e për t’i kthyer shqiptarët në kontribuuesit e vyer në rajon dhe në Europë,” shpjegohet në fund të librit.

Shtëpia botuese është e Flutura Açkës, kandidates së PD-së në Elbasan. sb/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!