Vetingu, vetëm 16 nga 61 vendimet e KPK janë ankimuar në KPA

schedule17:27 - 14 Shtator, 2018

schedule 17:27 - 14 Shtator, 2018

Nga 61 vendime të dhëna nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit për llogari të Vettingut të gjyqtarëve, deri më tani vetëm 16 prej tyre kanë mbërritur në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit. Në shtatë raste, ankimi është bërë nga ana e Komisionerit Publik, përfaqësuesit të publikut në procesin e Vettingut.

Nga nisja e procesit të Vettingut para trupave të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit kanë dalë 48 gjyqtarë dhe prokurorë, ndërsa 13 të tjerë iu shmangën filtrave duke u dorëhequr nga sistemi. Por ndonëse totali i tyre shkon në 61 subjekte, deri më tani vetëm 16 prej tyre kanë shkuar në shkallën e dytë të Vetingut, Kolegjin e Posaçëm të Apelimit. Në shtatë raste ankimi është bërë nga Komisioneri Publik, ndërsa në rastet tjera nga vetë subjektet e rivlerësimit. Sipas të dhënave zyrtare nga ky institucion, për gjashtë prej tyre KPA ka përfunduar gjykimin duke i dhënë formë të prerë vendimit për fatin e tyre në sistemin gjyqësor.

Në vendimet e marra Kolegji i Posaçëm i Apelimit, në Dhomë Këshillimi apo seanca publike, ka lënë të pandryshuar vendimin për ndërprerje të procesit të rivlerësimit për ish-kryeprokurorin Adriatik Llalla, për ish-gjyqtaren e Lartë, Mirela Fana dhe për ish-prokurorin e Krujës, Sulejman Tola. Në tre vendime të tjera, trupa gjykuese të KPA-së, lanë në fuqi vendimet e KPK për shkarkim nga detyra të ish-gjyqtarit të Lartë, Fatos Lulo, ish-prokurorit të Apelit Durrës, Besim Trezhnjeva dhe ish-prokurores së Shkodrës, Besa Nikëhasani.

Ndërkohë dhjetë ankime të tjera të depozituara pranë Kolegjit të Posaçëm të Apelimit janë në fazë përgatitore. Mes tyre është ankimi i bërë nga ana e Komisionerit Publik për kryetarin e Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja, i konfirmuar në Shkallën e Parë dhe ish-anëtarët e Kushtetueses të “djegur” nga KPK, Fatmir Hoxha e Altina Xhoxhaj. Në pritje është gjykimi edhe për ankimi i bërë nga Komisioneri Publik kundër konfirmimit të gjyqtarit të lartë Edmond Islamaj, apo apelimi i ish-anëtarit të Gjykatës së Lartë, Tom Ndreca kundër shkarkimit nga detyra. Deri më tani KPA ka përcaktuar datën e seancës vetëm për një prej tyre, ndërsa për shtatë prej janë përcaktuar vetëm trupat gjykuese.

Në pritje të gjykimit:

Fatmir Hoxha
Altina Xhoxhaj
Edmond Islamaj
Bashkim Dedja
Luan Kaloçi
Gentian Trenova
Alma Brati
Astrit Faqolli
Artan Lazaj
Tom Ndreca

Çështjet e gjykuara:

Adriatik Llalla
Mirela Fana
Sulejman Tola
Fatos Lulo
Besim Trezhnjeva
Besa Nikëhasani/abcnews.al