Vllaznia luan nesër me Korabin në “Loro Boriçi” çerekfinalen e Kupës së Shqipërisë. Para kësaj sfide në konferencë për mediet doli zëvendës trajneri Elvis Plori, i cili tregoi se kjo ndeshje vlerësohet maksimalisht dhe nuk ekziston luksi për nënvlerësime.
“Nuk ka qenë ecuri e mirë, çdo skuadër ka luhatjet e veta, prisnim të ktheheshim më shpejt. Nuk kemi pasur fati me vete. Në ndeshjet e fundit nuk kemi luajtur keq, por kemi kaluar disa momente të vështira, që na kanë dënuar dhe kemi rënë psikologjikisht.
Gomarin e nxjerr i zoti nga balta dhe më mirë se e dinë çunat dhe ne, nuk di kush të dalë nga kjo situatë. Jemi bazuar te kjo, kemi marrë përsipër gabimet të gjithë bashke dhe do kthehemi sa më shpejt. Edhe Kupa është shumë e rëndësishme sepse Vllaznia ka objektiv të dy kompeticionet.
Kemi mundësi të mirë të kthejmë një trofe të Shkodër dhe nuk do e nënvlerësojmë. Në kampionat nuk jemi larg objektivave, Korabi ka bërë mirë, ka eliminuar Tiranën dhe lojtarët motivohen në maksimum. Por ne jemi në një pozicion ku nuk mund të neglizhojmë dhe të mos e diskutojmë fitoren.
Na ka munguar lojtari që tund rrjetën, kemi pasur ngarkesë emocionale, kemi qenë edhe të pafat. Duhet të jemi të qetë sepse sulmuesi është një nga ata pozicione, që e vuan më shumë mungesën e qetësisë”, u shpreh Plori. /abcnews.al