Parlamenti Europian ka votuar në masë pro ndëshkimit të Hungarisë për shkelje të vlerave themelore. Për momentin masat janë në nivel disiplinor, por nëse qeveria e Viktor Orban do të vijojë linjën e saj ato do të kthehen në penalizuese.
Parlamenti Europian ka votuar të mërkurën pro masave disiplinore ndaj Hungarisë, një lëvizje kjo e paprecedentë për shkak se vendi ka shkelur vlerat themelore të BE-së. Më shumë se dy të tretat e euro-parlamentarëve kanë votuar pro masave, që vendosen për herë të parë ndaj një vendi anëtar të Unionit. Qeveria hungareze e drejtuar nga Viktor Orban akuzohet për sulme ndaj medias, minoriteteve dhe shkelje të ligjit, akuza të cilat kryeministri vazhdimisht i ka mohuar. Nëse ato aprovohen edhe nga liderët e vendeve anëtare, atëherë masat disiplinore mund të kthehen në masa ndëshkuese për Hungarinë.
Mes tyre përfshihet edhe heqja e së drejtës që vendi aktualisht gëzon për të votuar në nivlin e Bashkimit Europian. Që nga ardhja në pushtet, qeveria e zotit Orban ka ndjekur një linjë të ashpër ndaj emigracionit, duke miratuar një ligj që dënon çdo avokat apo aktivist që ndihmon azilkërkuesit. Por veç kësaj Budapesti zyrtar akuzohet edhe për presion ndaj gjykatave dhe organeve elektorale, pa anashkaluar korrupsionin e përhapur. Pas mbajtjes së votimit, Parlamenti Europian ka deklaruar se ka gjithashtu shqetësime edhe për sistemin kushtetues të Hungarisë, mbrojtjen e të dhënave personale, lirinë e shprehjes, atë fetare dhe lirinë akademike. Pa harruar këtu mungesën e të drejtave të barabarta sidomos në dëm të refugjatëve dhe minoriteteve, si romët dhe hebrenjtë.
Seanca plenare e së mërkurës u hap me një fjalim të presidentit të KE-së, Zhan Klod Junker, i cili bëri thirrje për respektimin e BE-së, mbrojtjen e imazhit europian dhe për t’i thënë jo nacionalizmit ekspansiv që urren të tjerët dhe kërkon t’i shtypë. “Sa herë që Europa flet me një zë të vetëm ajo arrin t’u imponohet të tjerëve. Ndaj ajo duhet të veprojë si një front i bashkuar”, deklaroi Juncker./abcnews.al