Kosova U21 luan më 26 dhe 29 mars dy ndeshje miqësore me Katarin në Doha dhe për këto përballje trajneri Michael Nees ka zbardhur listën e lojtarëve të thirrur. Ka lojtarë nga e gjithë Europë, Kosova e Maqedonia, teksa nuk mund të mungonte as përfaqësimi i Kategorisë Superiore.
Tre talentet e Skënderbeut, Leonat Vitija, Leard Sadriu dhe Melos Bajrami janë thirrur në përfaqësuesen dardane në këto dy ndeshje. Një arritje jo e vogël për dy talentet, që përtej vështirësisë së rezultateve për ekipin, kanë treguar se kanë vlera të mëdha.
Vitija aktivizohet si mbrojtës qendre dhe ka luajtur 18 ndeshje në Superiore këtë sezon dhe ka dhuruar 1 asist. Edhe Bajrami e Sadriu aktivizohen në qendër të difensivës dhe kanë zbritur nga tetë herë në fushë në Superiore këtë sezon.
NJOFTIMI – Përzgjedhësi i Kombëtares U21, Michael Nees ka publikuar listën e futbollistëve të ftuar për dy ndeshjet miqësore të këtij muaji kundër Katarit në Doha.
Në listën e përzgjedhësit Nees janë përfshirë 25 futbollistë, derisa këto dy takime do t’i shërbejnë atij për ta pasur një pasqyrë sa më reale të ekipit, por edhe për t’u përgatitur sa më mirë për ndeshjen e parë të fushatës kualifikuese për Evropianin 2023 kundër Andorrës, që do të luhet më 8 qershor në Prishtinë.
Miqësoret me Katarin zhvillohen në saje të Memorandumit të Bashkëpunimit që kohë më parë e kanë nënshkruar krerët e të dy federatave. Ndeshja e parë zhvillohet më 26 mars, kurse ndeshja e dytë më 29 mars. Ekspedita e Kombëtares U21 do të udhëtojë në Doha mbrëmjen e 21 marsit. /abcnews.al