Nëntë ndeshje dhe 7 pikë të grumbulluara kanë vënë në dyshim vazhdimësinë e Thomas Brdaric në krye të Vllaznisë. Në fakt te kuqeblutë të gjithë janë në ajër dhe në varësi të privatizimit të klubit.
Në Shkodër largimi i Brdaric konsiderohet i sigurt, por zyrtarizimi ende mungon. Abcnews.al ka komunikuar me drejtorin sportiv Matko Djarmati, i cili kërkon durim për vendimin dhe thekson se sot do të dalin me komunikatë.
Krahu i djathtë i sponsorit Alban Xhaferi, Blendi Dibra, shkurtisht na është përgjigjur: “Nuk ka asnjë vendimmarrje ende”. Tentativat për marrë një qëndrim të vetë trajnerit gjerman kanë shkuar bosh.
Humbja e djeshme me Bylisin sigurisht ka bërë që te Vllaznia të mos ketë qetësi, por drejtuesit duan që sot, në kushte më të qeta, të merren vendimet e duhura. Gjasat janë që Brdaric të pasohet nga Elvis Plori. Të gjithë presin komunikatën e Vllaznisë. /abcnews.al