Nga Mimoza Vraja
Eni Zake e angazhuar prej vitesh me Partinë Socialiste në Korçë është “shpërblyer” për kontributin e saj duke u caktuar e para e listës për këtë qark në zgjedhjet e 25 Prillit.
Në një prononcim për Abcnews.al, Zake thotë se e priste kandidimin pasi prej shumë kohësh është pjesë e Partisë Socialiste. Ajo shprehet se nuk do të pranonte të garonte për deputete në asnjë qytet tjetër duke qenë se si përfaqësuese e zonës ku ka jetuar për shume vite ndihet më afër elektoratit.
Këtë e quan favor në krahasim me rivalët politikë që nuk janë nga zona e Korçës dhe synojnë votën e elektoratit të saj për një vend në parlament pas 25 Prillit.
Pjesë nga biseda
E prisnit kandidimit tuaj në qarkun e Korçës?
E prisja. Nuk ishte surprizë për mua
Cilat janë sfidat që prisni nga ky kandidim?
Unë jam pjesë e strukturave të Partisë Socialiste. Dhe nuk është se kam hyrë tani dhe të ishte surprizë. Jam sekretare organizative. Jam koordinatore elektorale. Kam qenë koordinatore e Gruas Socialiste. Jam anëtare e Këshillit bashkiak. Anëtare e këshillit të qarkut. Jam prej goxha kohës pjesë e strukturave
Duke qenë e vendosur në Korçë, ndjeni një lloj afrimiteti me elektoratin në krahasim me pjesën tjetër?
Patjetër. Unë kam jetuar, jam lindur, jam rritur dhe jam shkolluar në Korçë. Kam bërë studime jashtë shtetit dhe jam kthyer sërish në Korçë. Gjithë aktivitetin tim profesional e kam krye në qytetin e Korçës. Kam drejtuar shumë institucione në Korçë në fushën e financave pasi arsimimi im ka profil ekonomik. Kandidimi im në qytetin ku jam lindur dhe jam rritur është favorizim.
Nëse do ju kërkonin të kandidonit në një qytet tjetër do pranonit?
Jo. Për mua ishte vlerësim i madh. Është një detyrë dhe përgjegjësi shumë e madhe të përfaqësoj qytetin dhe mbështetësit e Partisë Socialiste në Parlamentin Shqiptar.
****
Gjatë prezantimit të kandidaturës së Eni Zakes Rama e vlerësoi kontributin e saj në fushën e arsimit dhe administratës.
“Eni Zake është vendi i parë në Korçë. Administratore e fakultetit Fan Noli në Korçë. Pedagoge prej shumë vitesh. Anëtare e Këshillit Bashkiak. Komunitetit i jep mesazhin e parë të përpjekjes për atë që duan të kenë”, deklaroi Rama./abcnews.al