Gjykata e Shkallës së Parë në Shkodër ka vendosur masat e sigurisë për katër të ndaluarit dy ditë më parë në operacionin “Forca e Ligjit”. Tre prej tyre do të qëndrojnë në qeli, ndërsa tjetri në arrest shtëpie. Avokatët mbrojtës mohuan akuzat në gjykatë, ndërsa pritet ekspertimi i disa fishekëve të sekuestruara gjatë aksionit.
Grupi që u ndalua në operacionin “Forca e Ligjit” në Shkodër doli para trupit gjykues për masën e sigurisë.
Ilir Bajri, Emrah Plaku dhe Erogen Brajoviç do të qëndrojnë në qeli për 30 ditë, ndërsa për Astmer Bilalin u vendos arrest shtëpie.
Afati 30-ditor është lënë deri sa të vijnë aktet e ekspertimit për disa fishekë të gjetur gjatë aksionit.
Avokatët mbrojtës mësohet se kanë hedhur poshtë akuzat ndaj të arrestuarve duke pretenduar se nuk ka prova për t’i mbajtur në burg.
Dy akuzat e ngritura nga prokurorja Esmeralda Ndoci duket se nuk kanë bindur gjyqtaren Irida Kaceri, e cila ka lënë pas hekurave tre nga katër të arrestuarit vetëm për armëmbajtje pa leje.
Gjyqi ndaj tyre u zhvillua me dyer të mbyllura.
Në aksionin e para disa ditëve, Policia e Shtetit ushtroi kontrolle në 20 banesa e lokale tregtare të përdorura prej personave të ndaluar. Në operacion u sekuestruan armë, municione dhe mjete të blinduara./abcnews.al