Pavarësisht protestave që prej disa ditësh po zhvillohen në Tiranë, turistët e huaj vijojnë të vizitojnë kryeqytetin.
Ky grup turistësh përpara Kryeministrisë po shijon vizitën në Tiranë, pavarësisht situatës së krijuar nga protestat. Prania e tyre në një prej pikave kryesore të kryeqytetit tregon se tubimet nuk i kanë penguar vizitorët të vijojnë planet e tyre turistike.
Këtë e konfirmojnë edhe të dhënat zyrtare të INSTAT-it, sipas të cilave Shqipëria ka regjistruar rreth 10.7 milionë hyrje të shtetasve të huaj gjatë periudhës janar-shtator 2026, me një rritje prej gati 5% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë
Të dhënat tregojnë se fluksi i vizitorëve të huaj vijon të mbetet i lartë edhe gjatë muajve të vjeshtës, kur sezoni turistik veror po i afrohet fundit.
Shumica e shtetasve të huaj që vizitojnë Shqipërinë vijnë nga vendet europiane. Interesant është fakti se ka pasur një interes të lartë të vizitorëve nga shtetet e Europës Jugore .Vitet e fundit është kthyer trend ardhja e turistëve Italian ,Spanjollë dhe portugezë.Nuk mbeten pas edhe vizitorët nga Kosova apo Maqedonia të cilët kryesojnë listën. Rritja e numrit të turistëve të huaj në Shqipëri tregon se vendi po konsolidohet si një destinacion tërheqës në tregun evropian.
Vetëm gjatë muajit shtator, në territorin e vendit tonë kanë hyrë 1 milion e 286 mijë shtetas të huaj. Në krahasim me shtatorin e vitit 2025, ky tregues është rritur me mbi 2 për qind.
Shifrat për nëntëmujorin dhe ecuria e muajit shtator tregojnë se lëvizjet drejt Shqipërisë vijojnë të jenë në nivele të larta. Rritja e hyrjeve të shtetasve të huaj mbetet një tregues i rëndësishëm për sektorin e turizmit, i cili ka fituar peshë në ekonominë shqiptare.


